Ish sekretari i NATO-s rikujton kohën e bombardimeve: Ne bëmë atë që besuam se ishte e drejtë

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson, në emisionin “KallxoPërnime”, ka folur për ndjenjën e rikthimit në Kosovë në 25 vjetorin e çlirimit të këtij vendi.

Ai ka thënë se për të është ndjenjë e kënaqësisë dhe e krenarisë së madhe kur e kujton Kosovën para një çerekshekulli dhe ku është sot.

“Është ndjenjë krenarie e madhe. Kur e mendoj pas 25 vitesh dhe kur e kujtoj ardhjen time në Kosovë për herë të parë e mendoj dëmin që ishte bërë dhe problemet që ishin, por edhe ngrohtësinë e mikpritjes në atë kohë, dhe ndjenjën e kënaqësisë që kam ndihmuar të bëhet diçka këtu bashkë me shumë njerëz të tjerë, për të çliruar këtë vend dhe për t’i dhënë një shans të jetë vend modern multietnik evropian dhe kjo më bën krenar”- ka thënë ai.

Robertson ka folur edhe për momentet e vështira që i kanë pasur gjatë kohës së bombardimeve të caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi nga ana e NATO-s, në vitin 1999, kohë kjo kur ai ishte ministër i Mbrojtjes në qeverinë e drejtuar nga Tony Blair.

Ai ka përkujtuar se ka pasë netë kur nuk kanë mundur të bombardonin për shkak të motit.

“Kishte netë që nuk mund të bombardonim sepse retë ishin shumë të ulëta dhe kishte raste kur ne po shkonim drejt objektivave të gabuar. Më erdhën disa zyrtarë vonë natën duke më treguar fotografi dhe më duhej sot të firmosja letrën e të jepja urdhrin se mund të bombardojnë dhe të nesërmen ndërtesa nuk ishte aty më”- ka thënë ai.

Udhëheqësi i trupave të NATOS në vitet 1999 – 2003, ka folur edhe për luftën në Bosnje dhe ndërhyrjen në Srebrenicë për të cilën tha se si politikë angleze janë pishman që nuk kanë ndërhyrë më shpejtë.

“Ndërhyrje e vonuar ka qenë… Gjithsesi që duhet të jemi pishman për këtë. Me pishmanllëk e kujtojmë mosndërhyrjen tonë atje. Nga mosndërhyrjet si ajo ne duhet të nxjerrim mësime, dhe në fakt kjo është një prej arsyeve pse ndërhymë në Kosovë”- është shprehur ai.

Ai është pyetur nëse Kosova, 25 vite nga çlirimi, është shembull i multietnicitetit.

“Besoj se Kosova është dhe mund të përfaqësojë diçka ku mirësjellja dhe drejtësia mundi të ligën e asaj kohe me një ndërhyrje të kufizuar ushtarake. Ne bëmë atë që besuam se ishte e drejtë në atë kohë dhe krijuam diçka që do të jetë pastaj çështje e vetë kosovarëve e që, qofshin ata shqiptarë, serbë, romë apo të tjerë të mund të nxjerrin prej saj”- ka thënë Robertson.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Lordi George Robinson ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s nga viti 1999 deri në vitin 2003. Njëherësh ka qenë edhe Sekretar i Mbrojtjes në qeverinë britanike në kohën kur kjo qeveri drejtohej nga Tony Blair.

Për “kontributin e lartë për lirinë e Kosovës”, atij i është ndarë Medaljen e artë të lirisë” nga ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në vitin 2019, Robertson është dekoruar edhe nga ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, me medaljen “Skënderbeu”.