Dhjetë javë luftë në Ukrainë, Moska nuk po tregon asnjë shenjë tërheqjeje

Dhjetë javë pas një lufte që ka lënë të vrarë me mijëra, ka shkatërruar qytete dhe ka shtyrë miliona ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërkohë që Kremlini zyrtar nuk po tregon shenja të tërheqjes.

Forcat ukrainase po luftojnë “beteja të vështira e të përgjakshme” kundër trupave ruse brenda fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol, raportoi Reuters, duke cituar një video mesazh nga Telegram nga komandanti i batalionit Azov. Një zyrtar ukrainas tha të mërkurën se forcat ruse kanë hyrë në fabrikën e çelikut, ku rezistenca e fundit e qytetit po mbahej, por kontakti me mbrojtësit ukrainas ende është aktiv.

344 persona të tjerë janë shpëtuar nga qyteti i rrethuar i Mariupolit në një operacion të dytë evakuimi, ka konfirmuar presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy përmes një adresimi kombëtar.

Rusia ka thënë se do ta zbatojë një armëpushim ditor për tri ditë nga e enjtja për të lejuar më shumë evakuime të civilëve nga uzina Azovstal. “Forcat e armatosura ruse do të hapin nga ora 8 e mëngjesit deri në 6 pasdite (me orën e Moskës) më 5-7 maj një korridor humanitar nga territori i uzinës metalurgjike Azovstal për të evakuuar civilët”, tha ministria e mbrojtjes.

Mbretëria e Bashkuar po jep 45 milionë funta në fonde për të ndihmuar më të cenuarit në Ukrainë dhe në kufijtë e saj, ka thënë qeveria britanike. Paratë do të shkojnë për agjencitë dhe bamirësitë e OKB-së që ofrojnë ndihmë jetike dhe mbështesin të mbijetuarit e dhunës seksuale në vendin e shkatërruar nga lufta, raporton PA Media.

Presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar se do të flasë me liderët e tjerë të G7 këtë javë për sanksione shtesë të mundshme kundër Rusisë. Sekretarja e tij e thesarit, Janet Yellen, tha se SHBA është në diskutime të vazhdueshme me partnerët e saj për këtë.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar inteligjencë që ka ndihmuar forcat ukrainase të vrasin shumë prej gjeneralëve rusë që kanë vdekur në luftën në Ukrainë, raportoi të mërkurën Neë York Times, duke cituar zyrtarë të lartë amerikanë. Uashingtoni thuhet se i ka dhënë Ukrainës detaje mbi lëvizjet e pritshme të trupave ruse dhe vendndodhjen dhe detaje të tjera në lidhje me shtabin e lëvizshëm ushtarak të Rusisë.

Volodymyr Zelenskiy ka thënë se beson që Ukraina do të shohë sërish paqe pavarësisht luftës së Rusisë, por paralajmëroi se ajo që po ndodh në Ukrainë do të ketë pasoja të rëndësishme për pjesën tjetër të Evropës. Duke iu drejtuar popullit të Danimarkës në 77-vjetorin e çlirimit të tyre nga pushtimi nazist, ai tha: “Unë besoj se dita jonë e çlirimit po afrohet”.

Rusia ka praktikuar sulme të simuluara me raketa me aftësi bërthamore në enklavën perëndimore të Kaliningradit, e vendosur midis Polonisë dhe Lituanisë përgjatë bregut të Balltikut. Forcat ruse provuan “lansime elektronike” të simuluara të sistemeve të raketave balistike të lëvizshme Iskander me aftësi bërthamore, tha ministria e mbrojtjes ruse.

Suedia ka marrë garanci nga SHBA se do të ketë mbështetje gjatë periudhës teksa aplikimi potencial për t’u bashkuar me NATO-n do të procesohet nga 30 vendet anëtare të aleancës, tha në Uashington ministrja e jashtme suedeze, Ann Linde.

Kandidati kryesor presidencial brazilian Luiz Inácio Lula da Silva ka thënë se Zelenskiy dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, mbajnë përgjegjësi të barabartë për luftën, duke e vënë kandidatin e majtë në kundërshtim me fuqitë perëndimore.

Trupat e 20 civilëve të tjerë u gjetën në 24 orët e fundit në rajonin e Kievit, sipas shefit të policisë rajonale të Kievit, Andriy Nebytov. Zbulimet e fundit, në qytetin e Borodianka dhe fshatrat përreth, e rrisin numrin e përgjithshëm të trupave të civilëve të gjetur në rajon në 1235.

Bashkimi Evropian e ka propzuar ndalimin e të gjitha importeve të naftës ruse në paketën e gjashtë të sanksioneve. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Putini duhej të paguajë një “çmim të lartë për agresionin e tij brutal” në Ukrainë. Ministri i Marrëdhënieve Ndërkombëtare i Hungarisë, Zoltán Kovács, tha se vendi i tij do të vëjë veton ndaj propozimit të BE-së.

Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Kirill, thuhet se është në draft listën e zezë të raundit të ardhshëm të sanksioneve të BE-së. Një dokument i BE-së pretendon se Kirill ka qenë “një nga mbështetësit më të shquar të agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës” dhe një lojtar kyç në përforcimin e retorikës së Vladimir Putinit për Ukrainën.

Ukraina e ka akuzuar Rusinë se planifikon të mbajë një paradë ushtarake të Ditës së Fitores në qytetin e pushtuar të Mariupolit më 9 maj për ta festuar fitoren mbi nazistët në Luftën e Dytë Botërore. Inteligjenca ushtarake e Ukrainës tha se një zyrtar nga administrata presidenciale e Rusisë kishte mbërritur në Mariupol për t’i mbikëqyrur planet për paradën.

Kremlini hodhi poshtë spekulimet se do të shpallë luftë të gjithanshme në Ukrainë në ditët në vijim si “të pakuptimta” mes spekulimeve nga zyrtarët perëndimorë se Presidenti Vladimir Putin mund ta përdorë Paradën e Fitores së 9 majit për ta shpallur një përshkallëzim të aksionit ushtarak. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se thashethemet nuk janë “aspak të vërteta”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala