Detaje të reja nga vrasjet në Serbi, 14-vjeçari kishte planifikuar sulmin një muaj më parë

Nëntë persona mbetën të vdekur e shtatë të tjerë të lënduar pas të shtënave me armë zjarri që erdhën nga një 14-vjeçar në një shkollë në qendër të Beogradit.

Sipas raportimeve të fundit të BBC, i dyshuari i mitur, i cili është arrestuar, sulmin e kishte planifikuar një muaj më parë.

Një zëdhënësi i Policisë së Serbisë deklaroi se 14-vjeçari kishte një listë të fëmijëve që do t’i sulmonte, e po ashtu ai e kishte planifikuar në detaje se në cilat klasa do të shkonte së pari.

Përderisa, për klasën në të cilën ndodhi sulmi, zëdhënësi deklaroi se sulmuesi e zgjodhi atë pasi ishte më afër hyrjes.

Po ashtu, sipas tij, motivi e këtij sulmi që la të vrarë tetë nxënës e një roje sigurie, ende nuk dihet.

Sipas deklaratave zyrtare që u dhanë nga policia serbe, arma që 14-vjeçari përdori për të kryer sulmin në këtë shkollë është marr nga banesa e babait të tij.

Raportimet zyrtare gjithashtu tregojnë se i mituri, gjatë rrugës për në shkollë, la çantën e tij ku përgatiti katër kokteje molotovi.

Me të hyrë në shkollë ai nxori armën dhe qëlloi në drejtim të rojës së sigurisë, për të vazhduar më pas me të gjuajtura në drejtim të nxënësve.

Deri më tani është bërë e ditur se të plagosur kanë mbetur gjashtë fëmijë dhe një mësues.

Sipas raportimeve të ministres së e Shëndetësisë së Serbisë, Danica Grujiçiq një nga nxënëset e lënduara është në gjendje kritike.

“Mjerisht një vajzë e tretë ka pasur një lëndim të rëndë në kokë dhe është në gjendje kritike” – ka thënë Grujiçiq.

Ministrja po ashtu raportoi se në gjendje të rrezikshme janë edhe një djalë i qëlluar në gjoks e në qafë dhe mësuesja e plagosur.

Ajo tha se mësuesja ka pësuar lëndime në dorë dhe në zonën e legenit, përderisa djali i lënduar ka një dëmtim të shtyllës kurrizore dhe është ndër më të lënduarit.

Rasti raportohet se ka ndodhur në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm, e se në vendngjarje ndodhen me dhjetëra autoambulanca dhe ekipe të shumta të policisë.

Pranë shkollës mediat serbe kanë raportuar se gjendet edhe një numër i madh i prindërve të mbledhur, të cilët për momentin po e kanë të pamundur të arrijnë tek fëmijët e tyre.

Raportimet tregojnë se zona për rreth shkollës ku ndodhën të shtënat është e bllokuar, e po ashtu është bllokuar edhe hyrja për në rrugën “Kralja Milutin”, ku ndodhet shkolla.

Pamjet nga vendi i ngjarjes mund t’i shihni duke klikuar KËTU.

Vrasja e nëntë personave në një shkollë në Beograd, arrestohet një 14-vjeçar