Detaje se si ndodhi plagosja vdekjeprurëse në poligonin e shenjëtarisë në Obiliq

KALLXO.com raportoi sonte se një 24-vjeçar ka vdekur pasi u plagos në poligonin e shenjëtarisë në Obiliq.

Incidenti tragjik ka ndodhur në poligonin e shenjëtarisë “Katana”.

“Është një vetëplagosje. I ka gjuajtë katër plumba, të pestin ia ka drejtuar në kokë vetit. Jemi tu u marrë tash me prokurorë”, thanë shkurt për KALLXO.com nga kompania.

Në anën tjetër, poligoni i shenjëtarisë në Facebook njoftoi se ngjarja ka ndodhur përkundër faktit se janë zbatuar të gjitha procedurat standarde të sigurisë. Madje rastin e quajtën “vetëvrasje e qëllimshme”.

“Me qellim të informimit të drejtë dhe me qellim të parandalimit të thashethemeve dhe dezinformatave të shumta, e duke pasur respekt ndaj privatësisë se personave te përfshirë ne ngjarje, njoftojmë opinionin se para pak kohesh, në poligonin e shenjëtarisë ka ndodhur një vetëvrasje e qëllimshme”, kanë shkruar nga ky poligon.

Policia e Kosovës konfirmoi se një person është plagosur sonte rreth orës 17:25 në një poligon të shenjëtarisë në Obiliq.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në të dhënat e para, janë ngritur dyshimet se një person 24-vjeç, ka marrë plagë nga arma e zjarrit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Më pas nga Policia thanë se rreth orës 19:15, nga ana e mjekeve në QKUK është konfirmuar që viktima ka ndërruar jetë.

Vdes 24-vjeçari që u plagos në poligonin e shenjëtarisë në Obiliq