Automjeti për trazira, Foto: Policia e Kosovës

Dështon tenderi, Policia s’arrin të blej 15 automjete anti-protesta

Tenderi për blerjen e 15 automjeteve kundër trazirave e protestave i Policisë së Kosovës, që nisi në javën e parë të muajit korrik të sivjetmë, u anulua në javën e parë të këtij muaji. Ky tender u anulua pasi ofertat e operatorëve ekonomik, nuk i plotësuan kërkesat e parapara me dosje të tenderi.

Në javën e parë të muajit korrik, Policia e Kosovë nisi procedurat e prokurimit për blerjen e 15 automjeteve që do t’i shërbenin në ballafaqimet me trazira e protesta.

Nëpërmjet këtij aktiviteti të prokurimit, Policia synonte të nënshkruante kontratë me kohëzgjatje deri në 36 muaj, dhe ishin zotuar mjete prej 1,021,749,90 eurove.

Në korrik, KALLXO.com kishte raportuar për nismën e blerjes së këtyre automjeteve.

Specifikat e automjeteve që Policia planifikonte t’i blejë

15 automjete do të blihen nga Policia për t’i shfrytëzuar në raste të trazirave të cilat mund të ndodhin në Kosovë.

Në tenderin e Policisë janë theksuar specifikat që duhet të kenë automjetet për të plotësuar kushtet e shfrytëzimit.

Automjetet duhet të jenë transportuese me dy ulëse para dhe shtatë ulëse mbrapa, ulëset e ndara me renditje taktike dhe njëshe.

Modeli i kërkuar nga Policia është i vitit të fundit apo seri e fundit e prodhimit.

Tërheqja e automjetit duhet të jetë 4×4 me nga një palë rrota para dhe dy palë rrota mbrapa, vëllimi i motorit duhet të jetë minimum 2.0, ndërsa fuqia e motorit duhet të jetë minimum 120 kilowat, automjeti duhet të jetë me shpejtësi automatike, si dhe duhet të ketë kamera për incizim para dhe mbrapa, kamera këto të cilat duhet të aktivizohen në mënyrë automatike me sensor të lëvizjes, të ketë mundësi të incizimit edhe natën si dhe të ketë memorie të ruajtjes së incizimit dhe kamerat të vendosen në vend të përshtatshëm para dhe mbrapa.

Automjetet që po planifikon të blejë Policia e Kosovës duhet të ketë dy dyer para, dy dyer anësore dhe dy dyer prapa me hapje edhe nga brenda.

Xhamat e automjeteve duhet të jenë elektronik, antirefleks si dhe të jenë të errësuar nga prodhuesi.

Dyshemeja në automjet duhet të jetë prej gome apo material i ngjashëm i qëndrueshëm dhe i cili mirëmbahet lehtë.

Ngjyra sipas Policisë duhet të jetë e kaltër e mbyllur, të ketë alarm kundër vjedhjes, të ketë drita të dyfishta vezulluese të kaltra dhe të kuqe të cilat janë të vendosura në maskën para dhe prapa automjetit si dhe automjeti duhet të ketë alarm të kontrolluar nga një komandë.

Mirëpo ky aktiviteti i prokurimit nuk u finalizua me kontratë, pasi ofertat e pranuara nga operatorët ekonomik nuk i plotësonin e parapara me Dosjen e Tenderit.

“Ofertat e pranuara nuk i kanë plotësuar të gjitha riterët dhe specifikat teknike të kërkuara nga ana e Autoriteti Kontraktues në Dosje të Tenderi”, thuhet në vendim.