Automjeti për trazira, Foto: Policia e Kosovës

Policia përgatitet për protesta, hap tender për blerjen e 15 automjeteve

15 automjete të cilat do të shfrytëzohen në raste të trazirave apo protestave pritet të blihen nga ana e Policisë së Kosovës.

Këto vetura për të cilat Policia e Kosovës ka hapur edhe tender në e-Prokurim, duhet të jenë me specifika të caktuara. Policia e Kosovës ka kërkuar që automjetet të jenë me dy ulëse para dhe shtatë ulëse mbrapa, pra ulëse të veçanta me renditje taktike njëshe.

Në tenderin e Policisë së Kosovës janë theksuar në mënyrë të veçantë të gjitha specifikat që duhet të kenë veturat të cilat do të përdoren në raste të trazirave.

Të gjitha këto automjete sipas tenderit të Policisë së Kosovës, planifikohet të kushtojnë 1 milion e 21 mijë e 749 euro.

Tenderi i policisë është hapur katër ditë më parë ndërsa të gjithë kompanitë e interesuara për këtë tender për të ofruar automjetet që ka kërkuar policia mund të aplikojnë deri më 16 gusht 2021.

Specifikat e automjeteve për trazira:

15 automjete do të blihen nga policia për t’i shfrytëzuar në raste të trazirave të cilat mund të ndodhin në Kosovë.

Në tenderin e policisë janë theksuar specifikat që duhet të kenë automjetet për të plotësuar kushtet e shfrytëzimit në raste të trazirave.

Automjetet duhet të jenë transportues me dy ulëse para dhe shtatë ulëse mbrapa, ulëset e ndara me renditje taktike dhe njëshe.

Modeli i kërkuar nga policia është i vitit të fundit apo seri e fundit e prodhimit.

Tërheqja e automjetit duhet të jetë 4×4 me nga një palë rrota para dhe dy palë rrota mbrapa, vëllimi i motorit duhet të jetë minimum 2.0, ndërsa fuqia e motorit duhet të jetë minimum 120 kilowat, automjeti duhet të jetë me shpejtësi automatike, si dhe duhet të ketë kamera për inçizim para dhe mbrapa, kamera këto të cilat duhet të aktivizohen në mënyrë automatike me sensor të lëvizjes, të ketë mundësi të inçizimit edhe natën si dhe të ketë memorie të ruajtjes së inçizimit dhe kamerat të vendosen në vend të përshtatshëm para dhe mbrapa.

Automjetet që po planifikon të blejë Policia e Kosovës duhet të ketë dy dyer para, dy dyer anësore dhe dy dyer prapa me hapje edhe nga brenda.

Xhamat e automjeteve duhet të jenë elektronike, antireflekt si dhe të jenë të errësuar nga prodhuesi.

Dyshemeja në automjet duhet të jetë prej gome apo material i ngjashëm i qëndrueshëm dhe i cili mirëmbahet lehtë.

Ngjyra sipas policisë duhet të jetë e kaltër e mbyllur, duhet të ketë alarm kundër vjedhjes, duhet të ketë drita të dyfishta vezulluese të kaltëra dhe të kuqe të cilat janë të vendosura në maskën para dhe prapa automjetit si dhe automjeti duhet të ketë alarm të kontrolluar nga një komandë.

Automjeti tutje duhet të ketë edhe raft prapa për vendosjen e mburojave dhe pajisjeve, thellësia e të cilit duhet të jetë min 60 centimetra, po ashtu duhet të jetë sa gjerësia dhe gjatësia e mjetit (të ketë 3 rafta) dhe të ketë një ndarje mes raftave dhe pasagjerëve, ndarje e cila duhet t`i mbrojë pasagjerët nga ngarkesa.

Gjithashtu një automjet që policia po e kërkon për shfrytëzim në kohë trazirash duhet të ketë pajisjet rezervë shtesë të veturës (rrota, çelësi, vinçi, fiksja e zjarrit, çekiqi për thyerjen e xhamave, biga për tërheqje (ose litar adekuat për peshën e mjetit), jeleku reflektues, trekëndëshi i sigurisë dhe ndihma e parë, etj.)

Të gjitha këto statistika policia i ka vendosur edhe me fotografi në mënyrë që kompanitë të dinë saktë se për çfarë veturash bëhet fjalë të cilat policia ka hapur tender për t’i blerë dhe shfrytëzuar në kohë trazirash.