Dëshmia e gazetarit Alban Selimi në gjykatë lidhur me djegien e shtëpisë së tij

Arsim Limani i akuzuar se kishte tentuar ta privojë nga jeta gazetarin Alban Selimi përmes djegjes së shtëpisë, u ballafaqua me dëshmitë e gazetarit dhe bashkëshortes së gazetarit, Vlora Mehmeti.

Selimi dhe bashkëshortja e tij deklaruan se të akuzuarin e njihnin pasi që i njëjti në mëhallen ku të dëmtuarit banonin, kishte një market dhe se furnizimet ushqimore herë pas here i bënin në këtë market.

Gazetari tha se nuk kishte pasur ndonjëherë diçka të keqe me të akuzuarin, e një gjë të tillë e konfirmoi edhe bashkëshortja e Selimit, Vlora Mehmeti.

“Jo asnjëherë nuk kam pas ndonjë të keqe, as me të akuzuarin, as me familjen e tij dhe as ndonjë debat”- tha Selimi gjatë deklarimit të tij si i dëmtuar.

I dëmtuari u deklarua se në një rast kur kishte bërë blerje në marketin e të akuzuarit, ky i fundit e kishte pyetur lidhur me një emision që ishte realizuar nga gazetari, rasti kishte të bënte me një kontest prone në vlerë milionëshe.

“Më ka pyetur për një emision që e kisha realizuar në televizion e që kishte të bënte me një kontest për një pronë milionëshe, e cila gjendet në Hajvali, vetëm m’ka thënë që njërën palë i ka miq (familjar të bashkëshortes) mirëpo s`ka pas debat ka pas diskutim”- vazhdoi rrëfimin i dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit.

Gazetari tha se kishte pranuar një mesazh si kërkim falje nga vëllai i të akuzuarit, i cili këtë ngjarje e kishte lidhur me punën e gazetarisë dhe i njëjti kishte përmendur disa emra si motive të të akuzuarit për ta kryer veprën.

“Kam pranuar një sms, kërkim falje nga vëllai i arsimit, i cili më ka shkruar nga Amerika dhe ai ngjarjen e lidhë me punën time si gazetar, i lakon disa emra si motivues të Arsimit për ta kryer veprimin… Ai e përmend një person që koka i arrestuar për rastin e Brezovicës që lidhet me rastin Brezovica por që redaksia ime s`ka hulumtuar për atë rast”- ishin fjalët e Selimit.

Gazetari shpjegoi momentin kur kishte zbritur nga autobusi me vajzën e tij dhe një fqinj kishte vrapuar në drejtim të tij për t`i dhënë lajmin se shtëpia i ishte djegur.

Ndërsa i akuzuari pas dëshmisë së dhënë nga i dëmtuari, falje i kërkoi gazetarit dhe bashkëshortes së tij.

“S`kam deshtë me lëndu kërkon bre, qysh jom deklaru edhe para dy muajve në seancën e kaluar, i kam kërkuar falje edhe Albanit, falje i kom kërku Albanit edhe prap i kërkoj falje”- u shpreh i akuzuari.

Ndërsa mbrojtësi it ë akuzuarit Limani, Fanol Krasniqi kërkoi nga gjykata që t`i ndërrohet masa nga ajo e paraburgimit në arrest shtëpiak ose nëse e sheh të nevojshme gjykata të ndërrohet në masën e dorëzanisë.

Mirëpo prokuroria e kundërshtoi një kërkesë të tillë me arsyen se nuk dihen ende motivet se çka e kanë shtyrë të akuzuarin për të kryer veprën penale.

“ Unë Albanin e kom pas friend në facebook, veç pahiri u nervozojsha me nifar positme anej knej, s`di çka m’shkoj, s`kesh atë ditë vetvetja veç e shkrujta qatohen, edhe qisi shishe u kanë benzini s`ka pas ma shumë, s`kam dashtë më lëndu kërkon hiq aty”- u mundua t`i tregojë motivet se çka e ka shtyrë për të kryer veprën, i akuzuari.

Pas këtij deklarimit gjykata mori vendim që të mos i ndryshohet masa e paraburgimit të akuzuarit.

Seanca e radhës nga gjykata, në përbërje prej Medie Bytyqi – kryetare e trupit gjykues, u caktua të mbahet më 8 dhjetor të këtij viti.

Sipas dosjes së Prokurorisë në mars të këtij viti i akuzuari Arsim Limani ka tentuar të privojë nga jeta Alban Selimin përmes ndezjes së flakës në garazhin e shtëpisë së tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës Arsim Limani ishte afruar tek dera e garazhës dhe kishte hedhur një shishe benzinë të ndezur me ç’rast garazhën e kanë përfshirë flakët.

Alban Selimi në kohën e kryerjes së veprës nuk ka qenë në shtëpi kështu duke iu rrezikuar jetën bashkëshortes dhe fëmijëve të Selimit – thuhet në aktakuzë.

Ndërsa sipas aktakuzës në kornizën e dritares paraprakisht kishte shkruajtur fjalët “Mos ha m** shumë”.

Zjarri, sipas aktakuzës, është vërejtur dhe fikur nga kalimtarët e rastit.