Deputetja e VV-së fton për durim lidhur me marrëveshjen me LDK-në

Deputetja nga radhët e  Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci është deklaruar lidhur me negociatat dhe përpjekjet për koalicionin qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Nagavci përmes një shkrimi në Facebook, është shprehur se interesimi i opinionit dhe vëmendja për çështjet që janë me interes të përgjithshëm është i natyrshëm dhe i pritshëm.

“Pa marrë parasysh se cilat janë motivet e interesimit, është legjitime e drejta për të ditur. Por nuk duhet harruar se shpesh herë ndalimi për të sqaruar gjithçka, mund të na pengoj për të arritur qëllimin final. Andaj dhe duhet durim e angazhim për të arritur te caku”, ka bërë thirrje deputetja.

Nagavci ka ftuar për durim lidhur me zhvillimet e fundit politike.

“Në Kryesinë e LV! i kemi deleguar detyrën e zhvillimit të bisedimeve grupit punues, deri në gjetjen e zgjidhjes më të mirë për vendin sipas vullnetit të shprehur nga qytetarët. Andaj dhe me besimin e plotë tek Kryetari Kurti dhe kolegët tanë ftoj për durim”, thuhet në publikimin e saj.

Sipas saj, dëshira për zgjidhje të shpejta e arritje të marrëveshjes, sado e kuptueshme, nuk mund të jetë arsyeja për të humbur durimin.

“Në momentet e rëndësishme, përkundër tensionit e presionit, e madje pikërisht për këtë, vendimet duhet të jenë të matura mirë, të kujdesshme e të drejta. Rruga përpara është e gjatë, ka momente zhgënjimi e frike, por vendimet e drejta na sigurojnë që shpresa për zhvillim, angazhimi për drejtësi e kohët e bukura, të jenë më të afërta e të zgjasin më shumë”, ka shkruar ajo.

Kryetarët e të dyja partive, Albin Kurti (VV) dhe Isa Mustafa (LDK), ditët e fundit kanë zhvilluar një sërë takimesh, por ende pa ndonjë rezultat për marrëveshje.

Ndërkaq, nuk dihet nëse edhe sot ata do të mbajnë ndonjë takim.

Në anën tjetër, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ia ka dërguar edhe një letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në të cilën ka treguar se është duke pritur nga ai emrin  e mandatarit për formimin e qeverisë.

Thaçi i shkruan sërish Kurtit, e pyet nëse e don mandatin

.