Takimi Thaçi - Kurti më 6 janar 2020. Foto: KALLXO.com
Thaçi i shkruan sërish Kurtit, e pyet nëse e don mandatin
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ia ka dërguar edhe një letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në të cilën ka treguar se është duke pritur nga ai emrin e mandatarit për formimin e qeverisë.
Presidenti Thaçi ka thënë se për shkak të vonesave është i obliguar veprime duke ndjekur rrugët ligjore.
“Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre. Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për Kryeministër”, i ka shkruar Thaçi.
Thaçi e ka sugjeruar Kurtin që të ketë parasysh edhe Pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14, e cila vëren “se nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”.
“Në cilindo rast, të pranimit apo refuzimit të kandidatit/es, për kryeministër, luteni që të më njoftoni sa më shpejtë sipas premtimit tuaj”, ka shkruar ndër të tjera Thaçi.