Albin Kurti - Isa Mustafa

S'ka marrëveshje, Kurti e Mustafa ikin prej gazetarëve

Dy liderët e partive më të mëdha në Kosovë, Albin Kurti e Isa Mustafa kanë dështuar përsëri që të arrijnë marrëveshje.

Pas një takimi që zgjati pak më shumë se dy orët, asnjëri nuk u doli gazetarëve të shumtë që ishin mbledhur para Kuvendit të Kosovës për tu treguar se çfarë ndodhi brenda takimit.

Ata ikën rrugëve alternative duke shmangur kështu ballafaqimin me pyetjet e gazetarëve.

Zyrtarët e këtyre dy partive “përdorën” Policinë e Kosovës që qëndron në recepcion për t’i njoftuar gazetarët se ka përfunduar takimi.

Policia e Kosovës u kërkoi gazetarëve të pranishëm të largohen nga Kuvendi, meqë takimi tashmë ka përfunduar.

Tash e 3 natë me radhë janë duke u mbajtur takime por pa ndonjë rezultat.

Pas takimit të djeshëm, zyrtarët e dy partive politike përmes rrjeteve sociale thanë se ka lëvizje dhe përafrime.

Sot gjatë ditës, kryetari i LVV-së, Albin Kurti tha se “do të shkoj në takim për marrëveshje, por nuk varet nga unë”.

Zgjedhjet janë mbajtur me 6 tetor, por LVV dhe LDK që kanë deklaruar se e dëshirojnë bashkëpunimin me njëra tjetrën, nuk po dakordohen për ndarjen e përgjegjësive ministrore.

Vetura e Albin Kurtit duke dale nga Kuvendi i Kosoves