Veton Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës. Foto: Facebook

Deputeti Veton Berisha: Nuk votojmë çfarëdo qeverie, kemi kërkesat tona

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit egjiptian, Veton Berisha ka folur për media pas takimit që ka pasur me mandatarin për kryeministër, Albin Kurti.

Berisha para mediave tha se ka qenë një përshtypje e gabuar se deputetët e minoriteteve do të votojnë çfarëdo qeverisje në ardhje.

Sipas tij, edhe ata si komunitete kanë kërkesat e veta për t’u bërë pjesë e Qeverisë.

“Ka qenë një përshtypje që deputetët e komuniteteve e mbështesin çfarëdo qeverisje në ardhje, por unë mendoj që kjo nuk qëndron, sepse edhe ne kemi kërkesat tona”, tha Berisha para gazetarëve.

Ai poashtu u shprehë se nuk është për një qeveri të pakicës, por për një qeveri më të madhe që është stabile.

“Nuk jemi ithtar të një qeverie të pakicës, por të një qeverie stabile që ka mundësi me ba ndryshime”, tha Veton Berisha, deputet i komunitetit egjiptian.

Albin Kurti sot ka takuar partitë minoritare në Kosovë. Është raportuar se në këtë takim kanë qenë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe.