Deputeti Tahiri i kërkon ministres Hajdari të ‘fokusohet në temë”

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka përmendur gjendjen të cilën e ka gjetur ajo kur e ka filluar punën si ministre.

Ajo ka thënë se e ka trashëguar një situatë ku s’ka pasur formalizim të tregut të naftës.

Për këtë deklaratë të ministres kanë reaguar deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe Ganimete Musliu.

Tahiri gjatë fjalimit të tij ka thënë se do ishte mirë që ministrja të ‘fokusohet’ në temën që është duke u debatuar, pra ngritja e çmimeve për produktet esenciale.

Madje, Tahiri pati edhe një këshillë për ministren Hajdari.

“Ministre nuk është mirë me lexu çka të qëllon përpara, sepse debati është për shqetësimin nga ngritja e çmimeve dhe jo për luftimin e informalitetit”, ka thënë Tahiri duke shtuar se “Është mirë me ardhë me u fokusu në temë edhe me marrë masa për ngritjen e çmimeve të produkteve esenciale”.

Tutje, Tahiri pati edhe një kërkesë. Ai kërkoi që deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila të marrë fjalën dhe të tregojë nëse gjatë kohës sa ajo ishte në pozitën e ministres Hajdari ka qenë informalitet ashtu siç e ka prezantuar kjo e fundit.

“Të vetëm ministre të Tregtisë dhe Industrisë që po e shoh në sallë, ish-ministren zonja Kusari Lila. Është mirë që me dalë zonja Kusari me tregu nëse një informalitet aq i madh ka ekzistu në kohën sa ka qenë ministre e Tregtisë”, tha Tahiri.

Ai po ashtu u pajtua se vendimi për çmimin e naftën ka qenë diçka e mirë, por kërkoi që të merren edhe me masa të tjera.

“Sa i përket çmimit të naftës, ju veç e keni ndalu moslejimin e abuzimit me çmimet që është mirë por nuk keni bërë kurrgjë për me ulë çmimin”, tha ai.

Edhe Ganimete Musliu pati një reagim ndaj ministres Hajdari, për të cilën tha se është me fat që kur ka ardhur në pushtet ka gjetur një trashëgimi institucionale.

“Ministre, me të gjitha defektet që ti i ke hasur në trashëgiminë institucionale, unë të xhelozoj sepse mbi të gjitha ti ke gjetur një trashëgimi dhe një vijë institucionale”, i është drejtuar Musliu Hajdarit.

Madje, Musliu i bëri thirrje ministres që të reflektojë.

“Prandaj, kthjelluni, reflektoni dhe gjeni zgjidhje për problemet e qytetarëve sepse unë sot gjithçka dëgjova këtu vetëm zgjidhje për qytetarët të cilët sot më shumë se kurrë po ndihen të braktisur nga kjo Qeveri unë nuk pashë që ofruat një zgjidhje ose një alternativë. Sinqerisht po them ju i keni rënë mësysh vetit, ose nuk keni këshilltarë ose familjarë që ua tërheqin vërejtjen për ta parë ku jeni, çfarë bëni dhe si veproni. Kthjelluni, kthjelluni ministre se nuk jeni në tokë të bukës…”, ka thënë deputetja Musliu.