Ilustrim

Deputeti i LDK-së kritikon masat e Qeverisë, kërkon zgjatjen e orarit për lokalet e gastronomisë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Ilir Tasholli ka kritikuar vendimin e Qeverisë Hoti për kufizimin e orarit të punës së lokaleve të gastronomisë.

Tasholli në seancën e sotme ka kërkuar nga institucionet e vendit që të zgjatet ky orar deri në 23:00, pasi që sipas tij, mbyllja në orën 21:00 po ndikon në rritjen e numrit të papunëve në vend.

“Është e nevojshme që për zbutjen e krizës sado pak, të rishikohen masat kufizuese për disa sektor të ekonomisë, veçanërisht sektori i gastronomisë që përfshinë turizmin dhe që është një sektor me numrin më të madh në sektorin privat. Këtij sektori i lejohet deri në orën 21:00, kjo është e pamjaftueshme për të zhvilluar veprimtarinë e tyre sado pak, me këtë orar hoteleria është duke humbur shumë, punëtorët janë duke u ulur në numër. Kjo po e rrit edhe numrin e të papunëve”, deklaroi Tasholli.

Sipas Tashollit nëse vazhdon kjo situatë, sektori i gastronomisë do të shkojë drejt falimentimit.

“Nëse kjo vazhdon, ky sektor do të vijë para kolapsit total ose drejt falimentimit. I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që në një afat sa më të shpejtë orari të vazhdojë nga ora 21:00 deri në orarin normal që është 23:00”, tha ai duke shtuar se edhe në këtë mënyrë mund të menaxhohet situata me COVID-19.