Thomas Hacker, Foto: Facebook

Deputeti gjerman për rastin e Klan Kosovës: Vendimi i ministrisë do të ndikojë negativisht në pluralizmin mediatik

Thomas Hacker, deputet gjerman ka reaguar pas rastit të televizionit Klan Kosova, pasi dje u bë e ditur se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka refuzuar ankesën e televizionit, ndaj vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit.

Për këtë Hacker ka thënë se ky vendim do të ndikojë negativisht në pluralizmin mediatik.

“Liria e medias është përmirësuar në Kosovë gjatë viteve të fundit. Vendimi i Ministrisë së Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë për heqjen e licencës së biznesit të Klan Kosova  do të ndikojë negativisht në ndikimin mediatik”-ka shkruar Hacker në Twitter.

Për këtë rast ka reaguar në Twitter edhe kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti i cili teksa e ka cilësuar si jetike lirinë e mediave, ka theksuar se ndekja e rregullave të regjistrimit është një detyrë ligjore.

“Kosova ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti primar i të cilave është media dhe 114 kompani të licencuara audio apo audiovizive. Ndjekja e rregullave të regjistrimit është një detyrë ligjore, jo një “teknikitet”. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik”-ka shkruar Kurti në Twitter.

MINT ka dorëzuar kallëzim penal kundër “Klan Kosova” Sh.P.K. dhe pronarëve të saj.

Më 14 qershor MINT kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të shoqërisë tregtare “Klan Kosova” Sh.P.K.

Pas këtij vendimi ka pasur reagime të shumta nga akterë të shumtë në Kosovë, duke e cilësuar këtë si censurim të fjalës së lirë.

Ambasadat e vendeve të QUINT-it si dhe Zyra e BE-së në Kosovë kanë reaguar lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) që konfirmon pezullimin e licencës së biznesit të televizionit “Klan Kosova”.

Në reagimin e përbashkët, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe Bashkimi Evropian në Kosovë shprehin shqetësimin e tyre të thellë për këtë vendim të MINT.

“Jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralizmin mediatik në Kosovë” -thuhet në reagim.