Foto: Kuvendi i Kosovës

Deputeti britanik, Vickers konfirmon vazhdimin e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka pritur sot në takim deputetin e Parlamentit Britanik njëherësh i dërguar i kryeministrit për Tregti në Ballkanin Perëndimor, Martin Vickers, i cili shoqërohej nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abott.

Në takim, ndër të tjera, u bisedua për zhvillimet politike, bashkëpunimin ndërparlamentar, atë ekonomik dhe tregtar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, thuhet në komunikatën për media të Kuvendit të Kosovës.

“Kryetari Konjufca ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës në të gjitha etapat e shtetndërtimit, si dhe në rrugën e zhvillimit dhe të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar”, citohet të ketë thënë ai.

Konjufca ka shtuar se Mbretëria e Bashkuar ka pasur dhe vazhdon të ketë rol të veçantë në çlirimin, pavarësinë, rindërtimin dhe rimëkëmbjen e Kosovës.

“Bashkë me miqtë, shteti ynë ka shënuar arritje të mëdha dhe në partneritet me ta do të ecën drejt objektivave të së ardhmes, ka thënë kryetari i Kuvendit, duke kërkuar përkrahjen e mëtejme për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Kurse, siç thuhet në njoftim deputeti Vickers e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, si dhe përkushtimin për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.