Reshat Sadiku, i akuzuar për kanosjen e deputetit të LDK-së Avdullah Hoti - FOTO: Laurant Berisha - KALLXO - 08.08.2023

I akuzuari për kanosje ndaj deputetit Hoti del para gjyqit

“Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”, këto janë fjalët që e sollën para gjyqit Reshat Sadikun, i akuzuar për kanosjen e deputetit të LDK-së Avdullah Hoti.

Sadiku është ulur sot në bankën e të akuzuarit për t`u ballafaqur me aktakuzën që rëndon ndaj tij.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti i ulur në gjykatore në cilësinë e të dëmtuarit – FOTO: Laurant Berisha – KALLXO – 08.08.2023

Ngjarja, sipas njoftimit të Prokurorisë, kishte ndodhur më 15.12.2022.

Këtë rast pritet ta gjykoj gjyqtari i vetëm gjykues Driton Berisha.

Të pranishëm në sallë janë deputeti i LDK-së Avdullah Hoti dhe tashmë i akuzuari për kanosje.

Prokuroria kishte njoftuar se ndaj Reshat Sadikut ishte ngritur aktakuzë për veprën penale kanosje.

Aktakuza sipas njoftimit të prokurorisë është ngritur më 24 korrik të këtij viti.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R. S., për shkak të veprës penale Kanosja”- thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, kanosja ka ardhur pasi Reshat Sadiku ka komentuar në një postim të Avdullah Hotit, ku kishte dhënë një mendim politik për zhvillimet politike në vend.

Tashmë i akuzuari me qëllim të frikësimit i ka shkruar koment që lidhet me pozitën dhe punën e të dëmtuarit dhe e ka kanosur.

“Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”- ishin fjalët që i dyshuari kishte lënë në postimin e Hotit, sipas njoftimit të Prokurorisë.

“Sipas aktakuzës, më 15.12.2022 në Prishtinë, pasi i dëmtuari Avdullah Hoti, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kishte postuar në profilin e tij në rrjetit social “facebook” mendimin e tij për zhvillimet politike në vend, i pandehuri i lartcekur, me qëllim të frikësimit, e përmes llogarisë së tij personale në rrjetin social “facebook”, i shkruan koment që lidhet me punën apo me pozitën e të dëmtuarit dhe e kanosë seriozisht me fjalët: “Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”, ku me këtë rast tek i dëmtuari shkakton ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetën, andaj me këtë i pandehuri kryen veprën penale të kanosjes”- thuhej tutje në njoftimin e Prokurorisë.