Deputeti i LVV-së Shkreta: Po sulmohem padrejtësisht nga disa qarqe

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta ka thënë se po sulmohet padrejtësisht nga disa qarqe, pasi atij i janë vjedhur 50 mijë euro cash, nga banesa e tij para tri ditësh.

Por këto para, që pretendohet se i janë vjedhur, nuk figurojnë në deklarimin e pasurisë së deputetit Shkreta në Agjencinë Kundër Korrupsionit si para cash.

Kurse, deputeti në një publikim në Facebook ka deklaruar se “i ka përmbushur sipas ligjit të gjitha obligimet e mia në lidhje me deklarimin e pasurisë”.

Ai tutje ka shtuar se “tendenca për ta lidhur gjithçka me këtë post është qëllimkeqe dhe thellësisht e padrejtë, aq më tepër kur e njëjta lidhet edhe me qëndrimet dhe deklarimet e mia politike”.

“Me 23.06.2022 familja ime ka rënë pre e një vjedhjeje dhe plaçkitjeje në banesën tonë. Ashtu siç e thotë ligji, njoftuam organet e policisë dhe të drejtësisë dhe, konform kërkesave të tyre, ofruam bashkëpunim pa bërë prononcime publike, në mënyrë që këto organe të bëjnë punën e tyre të pavarur në drejtim të kapjes sa më të shpejtë të keqbërësve”, ka shkruar ai.

“Por e njëjta nuk u respektua nga disa qarqe, të cilët, përveç që po na sulmojnë padrejtësisht e po dezinformojnë, po kujdesen që të mos flitet për vjedhjen dhe aktin e rëndë vjedhjes e të rrezikimit të sigurisë së një familje me dy fëmijë të vegjël”, thuhet mes tjerash në publikimin e tij.

Në orët e para të së premtes, më 24 qershor, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta ka kuptuar se iu është vjedhura banesa në Prishtinë dhe për këtë ka njoftuar Policinë e Kosovës.

Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

Njëri nga eprorët e lartë të hetimeve brenda Policisë së Kosovës e ka konfirmuar se janë duke e hetuar rastin për vjedhjen e 50 mijë eurove në banesën e deputetit.“Rasti është hap, është trajtuar prej njësiteve kompetente. Të gjitha masat e mundshme janë ndërmarrë. Hetimet janë duke u zhvilluar”, ka thënë njëri nga eprorët e hetimeve në polici.

Tutje eprori ka thënë se në bazë të deklaratës së Shkretes në polici, bëhet fjalë për 50 mijë euro të vjedhura.
“Po, në bazë të deklaratës së tij janë 50 mijë euro”, ka thënë ai.

Në vitin 2013, Shkreta ishte dënuar për mosdeklarim të pasurisë pranë Agjencisë Antikorrupsion, kur kishte pasë pozitën e asamblistit.

Dosja – Si ishte dënuar Mirsad Shkreta për fshehje të pasurisë