Klinika Kirurgjike

Dëmtimi i një gypi të ujit në QKUK shkakton pasoja në disa salla operative, drejtori jep detaje

Dy pajisje të anestezionit janë dëmtuar për shkak të ujit që ka rrjedhur në disa salla të operimit në QKUK.

“Vërshimi” i sallave ndodhi për shkak të dëmtimit të një gypi të ujit. Ende nuk dihet se si është dëmtuar gypi.

Kështu tha drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Elvir Azizi, sot gjatë raportimit të tij para bordit të SHSKUK-së.

Ai tregoi se këto pajisje duhet të servisohen, mirëpo ndërkohë kanë pajisje të tilla rezervë.

SHSKUK kishte njoftuar pesë ditë më parë se për shkak të kësaj ndodhie, në këto salla, në Klinikën e Neurokirurgjisë është pezulluar programi operativ joemergjent. Ndërsa, operimet urgjente janë kryer Klinikën e Emergjencës.

Në këtë njoftim thuhej se gjatë renovimit të këtyre sallave dyshohet të jetë dëmtuar një gyp i ujit.

Sot, drejtori tha se nuk ka ende një raport final për shkakun dhe dëmin e përgjithshëm, por tregoi se gypi është dëmtuar në hapësirën e një kuzhine ku nuk ka qenë duke punuar operatori ekonomik.

Azizi po ashtu tha se është informuar edhe Policia dhe është formuar një komision profesional nga shërbimet teknike, e që të dyja kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Situata është sanuar, sot po bëhet dezinfektimi i sallave, nesër merren mostrat mikrobiologjike, pastaj inspektorati sanitar e vlerëson gjendjen, nëse mund të vazhdohet puna aty” – tha drejtori i SHSKUK-së.

Aktualisht, sipas tij, operacionet po realizohen nëpër salla të tjera, ndërsa tha se sistemi operativ i planifikuar në ato salla kishte rënë vetëm për një ditë.