Demokracia për Zhvillim: Pabarazia gjinore në politikë vërehet edhe tek financimi

Organizata “Demokracia për Zhvillim” ka publikuar sot raportin “Kosto e pabarazisë: Financimi i fushatës zgjedhore së grave kandidate”.

Valëza Zogjani, autore e punimit tha se kanë hulumtuar për të parë mbështetjen financiare që u jepet grave kandidate.

“Ne kemi synuar të shohim se si mungesa e financimit të fushatave zgjedhore të grave ndikon në zgjedhshmërinë e tyre dhe sa ka distribuim të barabartë gjinor brenda partive politike për mbështetje financiare”, ka thënë ajo.

Zogjani potencon se gjetjet e këtij punimi i zbulojnë pabarazitë gjinore që ndodhin gjatë fushatave zgjedhore të cilat fillojnë brenda subjekteve politike dhe më pas reflektohen në nivele më të larta

I pranishëm për një fjalë rasti në këtë ngjarje ishte edhe Nicholas Abbott, ambasadori britanez në Kosovë, i cili gjithashtu pohoi që gjetjet e punimit janë shqetësuese dhe sistemi politik në Kosovë lë shumë për të dëshiruar.

Abbott u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që gjatë kësaj periudhe parazgjedhore në të cilën gjendemi ta bëjnë më të mirën t’i identifikojnë gratë me talente dhe aftësi e t’i përkrahin ato në përfaqësim përmes financimit jo vetëm monetar por edhe për nga logjistika dhe burimet njerëzore.

“Ambasada britanike i përkrah të gjitha partitë politike në këtë aspekt”, ka shtuar ambasadori.

Sipas punimit, nga aspektet të cilat ndikojnë në mirëmbajtjen e pabarazisë gjinore gjatë fushatave zgjedhore është edhe aspekti kulturor i cili i ka rrënjët thellë në shoqërinë tonë.

“[Pabarazitë fillojnë] edhe nga kultura e tradita rigjide, fort patriarkale, e cila e prodhon një elektorat që i ka pritshmëritë kogja të parapërcaktume për rolet gjinore, për gratë dhe burrat, sidomos në sferën publike. Rrjedhimisht pastaj, rezultatet [e zgjedhjeve me një elektorat të tillë] ndikojnë në përfaqësim më të ultë të grave në politikë”, ka thënë Zogjani.

Sipas saj, vetë mënyra se si është zhvilluar punimi tregon se pabarazia gjinore në politikë është shumë e theksuar.

Punimi ka mbledhur të dhëna vetëm prej 8 grave të cilat kanë qenë të gatshme t’i ndajnë përvojat e tyre. Këto gra të anketuara janë pjesë e subjekteve politike dhe kanë qenë apo janë kandidate për deputete apo asambliste komunale gjatë zgjedhjeve qendrore në shkurt të këtij viti apo në zgjedhjet lokale të tetorit.

Vetë numri i të anketuarave, dhe fakti që ato i kanë ndarë informatat në mënyrë anonime, sipas Zogjanit tregon se sa të shtypura janë gratë nëpër subjektet politike dhe sa shumë kemi nevojë që hapësira që u jepet grave në politikë të fillojë të rritet.

Ndërkohë, Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës, gjatë diskutimit me panelistët e theksoi edhe më shumë rëndësinë e financimit të kandidatëve gjatë fushatave zgjedhore.

“Paraja në zgjedhje krijon fuqi politike, dhe fuqia politike kthehet në pushtet”, tha Kryeziu.