Vendvotimi në Çabër

Tri qendra të votimit në Zubin Potok pa asnjë votë

Në tri ri qendra të votimit të vendosura në lokacione të ndryshme, një në vendin e quajtur si ‘Veli Breg’, një në fshatin Jasenovik e tjetra pak kilometra larg pikës kufitare në Bërnjak, të gjitha këto në zonën e Zubin Potokut kanë gati 5 mijë qytetarë të regjistruar për të votuar, por që asnjë nuk ka shprehur deri më tani vullnetin e tyre që të votojnë.

Këto qendra tash e 11 orë janë të hapura por që nuk kanë regjistruar asnjë votë.

Në këto zona kryesisht jetojnë qytetarë serbë.

Ekipi i KALLXO.com që po qëndron në pikën ‘Veli Breg’ nga atje ka raportuar se nuk ka pasur asnjë interesim nga ana e qytetarëve as për tu informuar rreth procesit.

Në përgjithësi në këto tri qendra votimi procesi ka ecur dhe është zhvilluar pa asnjë incident, ndërsa ekipet policore në vazhdimësi kanë qëndruar afër kontejnerëve të cilat janë përdorur si vendvotime mobile e që janë vendosur në lokacionet e lartpërmendura.

Vetëm në qendrën e votimit në Çabër është zhvilluar procesi i votimit dhe brenda hapësirave të shkollës që gjendet atje.

Qendrën e votimit në ‘Vejli Breg’ gjatë ditës së sotme e kanë vizituar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, organizata të shoqërisë civile si dhe prokurorja e përcaktuar për të monitoruar zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe, Fetije Bajrami.

Në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, po mbahen zgjedhjet lokale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një komunikate ka njoftuar qytetarët me të drejtë vote në katër komunat për 19 lokacionet e qendrave të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.Prej tyre, 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.

Qendrat e votimit do të mbyllen në ora 19:00.