Blerta Deliu Kodra në konferencë për media | Foto: KALLXO.com

Deliu Kodra: Për herë të parë në Kosovë një qeveri sulmoi deputetët

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra dhe Koordinatori për Financa në këtë parti, Arben Mustafa, në një konferencë për medie kanë denoncuar votimet e djeshme në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë konferencës për media deputetja e PDK-së Blerta Deliu ka deklaruar se dhuna e cila është shpërfaqur Kuvend nuk ishte një provokim nga opozita, duke vënë fajtin tek zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

“Për herë të parë në Republikën e Kosovës ka ndodhur që qeveria e Republikës së Kosovës sulmon deputetët. Një zëvendëskryeministër i zgjedhur i cili vjen nga një parti që ka fituar vota 50.2%, pas një akti simbolik” –  tha Deliu Kodra.

“Skandali i mbrëmshëm ka ndodhur për të eskivuar opinionin e publikut nga afera “Zdravo”, por ne si parti dhe opinioni publik nuk do të lejojmë që kjo qeveri Ta devijojë qasjen nga përgjimet të cilat kanë ndodhur” – tha në mes tjerash ajo.

Deliu shton “se qeveria duhet të japë llogari para qytetarëve të Kosovës se cilat kanë qenë koordinimet e LVV-s dhe Listës Serbe dhe se si një qeveri e cila na ka etiketuar të gjithëve me radhë sot koordinohet me Milan Radoiqiqin”

“Pasojat i ka bartur Kosova për skandalin e djeshëm por përgjegjësin duhet ta mbajnë deputetët të cilët kanë nxitur dhunën. Ndaj asaj dhune duhet të ketë padi edhe nga zoti Lushtaku por edhe nga të tjerët të cilët kanë qenë të përfshirë në atë skandal” – ka deklaruar ajo para mediave.

Deliu Kodra ka konfirmuar se PDK nuk do të marrë pjesë në seanca parlamentare.

Në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, disa deputetët opozitarë të PDK-së janë përleshur fizikisht me pjesëtarë të kabinetit qeveritar.