Deliu-Kodra: Deputeti i LVV-së më shau dhe shtyu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu – Kodra, ka pretenduar se është fyer, sharë, shtyrë dhe se ishte goditur nga deputeti i Vetëvendosje Halil Thaçi gjatë përplasjes që ka ndodhur në Kuvend, “po të mos mbrohej nga deputetët e partisë së saj”.

Ajo tha se asnjëherë nuk është ndier “kaq e rrezikuar dhe e goditur si deputete, si grua e si nënë”.

“Është e turpshme se deri ku është në gjendje të shkoj kjo Qeveri, kjo shumicë parlamentare, për të fshehur skandalin e madh politik në të cilën është përfshirë në lidhje me koordinimin me Listën Serbe. Edhe këto goditje të ulëta, kjo fushatë e orekstruar ndaj opozitës, nuk do të na ndalë në demaskimin e fytyrës së vërtetë të kësaj Qeverie.

Beteja për Kosovën dhe rrugën e saj euro-atlantike, larg bashkëpunimit me Serbinë, vazhdon pandalshëm!” – ka shkruar deputetja e PDK-së në Facebook.

Gjatë kohës sa ishte duke dhënë fjalim kryeministri Albin Kurti ka ndodhur një përplasje fizike.

Gjatë kohës sa ministri i Financave, Hekuran Murati është ngritur nga karrigeje e tij, deputeti i PDK-së, Mërgim lushtaku ka hedhur ujë në drejtim të tij dhe më pas ka ndodhë një përleshje fizike.