Foto: Prokuroria e Pejës

Deklarohet Prokuroria për rastin e të moshuarës në Pejë

Prokurori i Pejës, Dorjan Juniku, është deklaruar lidhur me rastin ky dyshohet se është sulmuar një e moshuar në një shtëpi të të moshuarve.

Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që Prokuroria të zgjerohet edhe tek subjektet e tjera të involvuara në rastin në fjalë.

“Në këtë fazë, ende jemi duke punuar dhe duke marr veprimet e nevojshme, që nuk do të thotë se nuk do të zgjerohemi edhe tek subjektet tjera të mundshme që mund të jenë të involvuar në rast” – është shprehur Juniku.

Ai ka thënë se me të marrë informatën, në mënyrë të shpejtë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë arritur që të arrestojnë dy të dyshuarat me inicialet A.P. dhe A.R..

“Janë angazhuar dy prokurorë, pas marrjes së autorizimve kemi vazhduar me të gjitha veprimet ligjore” – ka thënë ai.

Ai tutje tregoi se dy të dyshuarat janë ende duke u investuar në Stacionin Policor në Pejë.

Juniku u pyet nëse kanë pasur raste të tilla të njëjta që dyshohen të kenë ndodhur në shtëpinë e të moshuarve “Orenda”.

Prokurori ka thënë se deri më tani nuk kanë pas raste të tilla, por nuk ka përjashtuar mundësinë që diçka e tillë të mos ketë ndodhur edhe më herët.

Sot në rrjetin social Facebook është publikuar një video ku shihet një e moshuar duke u sulmuar nga një grua.

 

Lidhur me rastin, fillimisht Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Pejës kanë njoftuar se kanë arrestuar dy të dyshuara dhe të njëjtat janë ndaluar për 48 orë. Më pas u njoftua edhe për një tjetër të dyshuar të arrestuar, duke çuar në tre numrin e personave të arrestuar.

Sulmi ndaj të moshuarës është thënë se ka ndodhur në një shtëpi të të moshuarve në Pejë.

Për këtë ngjarje, Kryeprokurori i Pejës, ka angazhuar dy prokurorë të shtetit dhe ka autorizuar Policinë që të ndërmerren masat e nevojshme ligjore ndaj personave që kanë kryer këtë vepër penale.

Njëra nga të dyshuarat u tha se dyshohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” ndërsa tjetra veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Sulmi”.

“Dy persona të dyshuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi” dhe veprën penale “ndihma në kryerjen e veprës penale Sulmi”” – thuhet në njoftim.

Tutje u tha se nga ana e Prokurorit të Shtetit brenda afatit ligjor do të shqyrtohet mundësia e paraqitjes se kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në gjykatën kompetente dhe gjithashtu lidhur me ketë çështje penale u tha se do ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

Në anën tjetër, Policia tha se më të marrë informatën menjëherë ёshtё vёnё ne veprim dhe rreth orës 14:10, ka identifikuar lokacionin, dhe ka arrestuar dy tё dyshuarat.

Një qytetare gjatë ditës ka publikuar një video në rrjetin social Facebook ku shihet një grua duke e sulmuar një të moshuar.

E moshuara shihet në video duke tentuar të largohet dhe duke e mbrojtur vetën, përderisa një grua vazhdimisht e godet me shuplaka në fytyrë dhe me këmbë në bark.

“Çka po sillka fort” – dëgjohet njëra nga pjesëmarrëset duke thënë, përderisa tjetra e cila është duke e kryer aktin i kthehet me përgjigje “Pak jam tu ja hi qysh di me të sjellë unë”.

Tutje të moshuarës ajo i drejtohet me “Ti don me u shty me mu a, ti” e me “Që ma ke grithë dorën, pa t’i q* robt nuk kam me lanë”.

Kryetari i Odës së Infermierëve, Naser Rrustemaj, tha për KALLXO.com se nesër nga organet e tyre do të merren masat e nevojshme për këtë rast.

“Organet tona nesër do të merren më këtë çështje, na do të vazhdojmë procedurat për revokim të licencës edhe për masat tjera sa i përket Odës së Infermiereve” – tha Rrustemaj.

Ai shprehu keqardhje për rastin që ka ndodhur dhe tha se ndaj secilit person që ka qenë prezent në këtë ngjarje do të merren masa.

Një reagim për marrje të masave nga ana e Odës së Infermierëve kanë pasur edhe Rrjeti i Grave të Kosovës.

Nga ana e RrGK-së është kërkuar që të dyshuarave t’u hiqet licenca infermiereve dhe të marrin dënimin meritor konform ligjeve.

Edhe nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Enlirat Duraku ka pasur një reagim për këtë ngjarje.

Ai ka kërkuar nga secili infermier e secila infermiere që të distancohet publikisht nga ky rast.

“Kjo që shihet në video nuk e përfaqëson profesionin e infermierit, ndërsa edhe ato të tjerat të cilat qeshnin edhe pse e kishin mundësinë që t’a ndalojnë abuzimin dhe sulmin ndaj qytetares së moshuar në video nuk i bëjnë nderë as vetes së tyre, e as profesionit të infermierit” – ka thënë ai.