FOTO:Presidenca e Kosovës

Zyra e presidentes dënon dhunën e ushtruar ndaj të moshuarës në Pejë

Zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj të moshuarës në një strehimore në Pejë.

Presidenca thekson se dhuna ndaj të moshuarës është krim i dyfishtë.

“Dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet. T`i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë. Ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli jonë” – thuhet në komunikatë.

Tutje, në komunikatë potencohet se akti i sotëm është i patolerueshëm dhe Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm.

Po ashtu theksohet se duhen filtra të ashpër në kriteret e përzgjedhjes së personave që mbikëqyrin fëmijët, gratë e të moshuarit.

“Akti i sotëm i dhunës ndaj një të moshuarës është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ndaj Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm. Mekanizmat kompetent duhet t’i forcojnë dhe mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit”- thuhet më tej në komunikatë.

Zyra e Presidentes ka ftuar organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet pasi akte të tilla janë të patolerueshme dhe të dënueshme.

Deri më tash janë arrestuar tri të dyshuara për rastin e dhunës në qendrën e të moshuarve ‘Orenda’ në Pejë, kurse zyrtarisht Prokuroria e Shtetit është duke e hetuar rastin.

Një qytetare ka publikuar një video në rrjetin social Facebook, ku shihet një infermiere duke e sulmuar një grua të moshuar.