Lirohen nga paraburgimi infermieret që dyshohen se sulmuan të moshuarën në Pejë

Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes dhe ka liruar nga paraburgimi infermieret që dyshohen se sulmuan të moshuarën në Pejë, më 2 nëntor të këtij viti.

Gjykata Themelore në Pejë dhe ajo e Apelit patën vendosur ndryshe, të dy këto instanca patën vendosur kundër të dyshuarave për sulmin ndaj të moshuarës.

Kundër këtyre vendimeve, mbrojtja e njërës nga infermieret iu është drejtuar Gjykatës Supreme, me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë dhe e njëjta e ka aprovuar atë.

Gjykata Supreme me vendim ka vlerësuar si të bazuar këtë kërkesë të mbrojtjes dhe ka urdhëruar që të dyshuarat të lirohen menjëherë nga paraburgimi.

Në vendim të Supremes thuhet se nuk ka bazë ligjore që të pandehurat të qëndrojnë në paraburgim meqë nuk ka asnjë arsye për të besuar se ato mund të asgjësojnë ose fshehin provat apo të ndikojnë në dëshmitarë, sepse deklaratat vetëm se janë në shkresa të lëndës.

“Kjo gjykatë konsideron se nuk qëndron baza ligjore e parashikuar me dispozitat e nenit 187 par.1 nënpar.1.1 e 1.2 pika 1.2.2 të KPPK, sepse siç rezulton nga shkresat e lëndës nuk ka arsye për të besuar se të pandehurat do të asgjësojnë, fshehin apo ndryshojnë provat e veprës penale, nuk qëndron fakti se të pandehura do të mund të ndikojnë tek e dëmtuara apo dëshmitarët, sepse provat gjegjësisht deklaratat e tyre ekzistojnë në shkresat e lëndës.” – thotë vendimi i Supremes.

Një qytetare kishte publikuar një video në rrjetin social Facebook ku shihet një grua duke e sulmuar një të moshuar.

E moshuara shihet në video duke tentuar të largohet dhe duke e mbrojtur vetën, përderisa një grua vazhdimisht e godet me shuplaka në fytyrë dhe me këmbë në bark.

Arrestime për rrahjen e të moshuarës në Pejë