ILUSTRIM: Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com

Nisin hetimet rreth dyshimeve për dhunë në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë

Prokuroria e Prishtinës ka bërë të ditur se për të hetuar dyshimet e ngritura për keqtrajtim të të moshuarve në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë ka autorizuar Policinë të ndërmarrë veprime hetimore.

Njoftimi vjen pas raportimit në media për keqtrajtim të mundshëm të “banorëve” të Shtëpisë të të Moshuarve.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë iu njofton se pas publikimit të hulumtimit në emisionin ‘Kiks Kosova’, mbi dyshimet për keqtrajtim të moshuarve brenda shtëpisë së të moshuarve në Prishtinë, nga monitorimi i mediave menjëherë Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave” – thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, çdo informatë lidhur me këtë çështje është duke u verifikuar e shqyrtuar nga ana e prokurorit të shtetit në koordinim të plotë me Policinë.

“Po ashtu, iu njoftojmë se aktualisht çdo informatë lidhur me këtë çështje është duke u verifikuar e shqyrtuar nga ana e Prokurorit të Shtetit në koordinim të plotë me Policinë, andaj inkurajojmë çdo qytetar i cili ka informacione lidhur me këtë çështje të bashkëpunoj me organet e hetuesisë, me qëllim të ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë çështje”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Dyshimet për këtë rast vijnë pas ngjarjes tronditëse që ndodhi në Qendrën e të Moshuarve në Pejë “Orenda”, ku sipas videove të publikuar një infermiere shihet duke e sulmuar fizikisht një grua të moshuar.