Deklarata e të akuzuarit Arbër Sejdiu në Polici: E ndjera Marigona Osmani nga goja kishte vjellë zi

Arbër Sejdiu i akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit, vrasje kjo që sipas Prokurorisë ka ndodhur në bashkëkryerje me të akuzuarin tjetër, Dardan Krivaçën, ka deklaruar se ditën kritike ka dëgjuar 18-vjeçaren duke gjëmuar.

Ai tutje ka deklaruar se ditën kritike kishte hyrë në dhomën e të akuzuarit Dardanit ku ka parë të ndjerën Marigona Osmani, e cila siç thuhet në aktakuzë, ishte e shtrirë në krevat lakuriq dhe në trup kishte mavijosje, duke shtuar se i akuzuari Dardan u mundonte të jepte ndihmën e parë, në ato momente e ndjera nga goja ka vjell diçka zi.

Sipas aktakuzës Sejdiu ka deklaruar se ka kërkuar nga Dardani që të dërgonin në spital me qenë se kishte përshtypjen se kishte shenja jete e ndjera.

“Dardani e ka kapur para duarsh të ndjerën të cilën së bashku e kanë dërguar në emergjencë, pasi e kanë dorëzuar në spital ka shkuar në banesën e Dardanit dhe i ka marr disa rroba të veta dhe sërish është kthyer në spital mirëpo pasi kishte policë është larguar dhe ka shkuar në banesën e tij e cila gjendet afër lokalit..” thuhet tutje në aktakuzën lidhur me deklarimin e Sejdiut në Polici.

Sejdiu në pyetje të policisë thekson se nuk ka dëgjuar se çka kanë biseduar gjatë qëndrimit te Dardani, por ka dëgjuar zhurma, mirëpo nuk e ka ditur se gjendja ka qenë aq e rëndë dhe tek të nesërmen e ka kuptuar se çka në të vërtetë ka ndodhur.

Sipas tij nuk e ka parë Dardanin duke e rrahur bashkëshorten e tij, por kur e ka parë në mëngjes dukej se e kishte maltretuar dhe se aty përveç tyre nuk ka qenë askush, po ashtu arsyeja përse nuk e ka lajmëruar policinë është se nuk ka dashur që të ndërhynë në mes të burrit dhe gruas.

KALLXO.com sot ka publikuar artikuj lidhur me aktakuzën e vrasjes e dhunimit të Marigona Osmanit.

Prokuroria ka konstatuar mes tjerash, se Marigona Osmani u dhunua seksualisht derisa i humbi ndjenjat.

Detaje nga aktakuza, Prokuroria konstaton se Marigona Osmani u dhunua seksualisht derisa i humbi ndjenjat