Në kohë pandemie në Gjilan organizohet dasmë

Përkundër shifrave të larta të vdekjeve dhe të të infektuarve me COVID-19, natën e së shtunës në qytetin e Gjilanit u organizua një aheng familjar.

KALLXO.com merr vesh se dasma u organizua në njërin prej restoranteve të njohura në rajonin e Gjilanit.

Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterenarisë.

“Në një rast është hasur në një organizim të dasmës në kundërshtim me vendimin e Qeverisë. Në të gjitha këto raste është vepruar sipas procedurave ligjore. Fillimisht është urdhëruar zbrazja e hapësirave  të lokaleve, janë shqiptuar gjobat varesisht nga shkelja dhe po ashtu lokalet janë mbyllur. Si shkelës të masave janë ndëshkuar edhe 11 punonjës të cilët kanë qenë duke shërbyer pa maska”,  ka thënë Lamir Thaçi nga AUV, në një përgjigje për KALLXO.com.

AUV përmes një aksioni në rajonin e Gjilanit, në 53 inspektime ka ndëshkruar 14 biznese, duke përfshirë lokale dhe qendra tregtare.

Gjatë inspektimit u gjetën shumë parregullësi.

“Qendrat tregtare nuk kanë qenë te pajisura me shenjëzime sipas rregullave të përcaktura ndërsa lokalet e gastronomisë nuk kanë krijuar kushte për ruajteje të distancës duke tejkaluar numrin e personave të lejuar dhe jashtë orarit të përcaktuar. Inspektorët sanitarë kanë për obligim të veprojnë në secilën shkelje që hasin. Kudo që ka shkelje të distancës, grumbullim të personave mbi numrin e lejuar do të ndëshkohet sipas ligjit ne fuqi”, thuhet tutje në njoftim.

Ky institucion ka paralajmëruar aksione të tërë territorin e Kosovës.

Ndërkohë, sot Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar një takim virtual me disa prej kryetarve të komunave ku ka diskuar për masat që mund të merrën për ta parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.

Por, kundër doli komuna, ku mbërmë u organizua dasma, ajo e Gjilanit.

Përmes një njoftimi për media, nënkryetari i Gjilanit, Arber Ismajli tha se “pandemia nuk ndalet duke ia vështirësuar gjendjen ekonomike bizneseve e familjeve”.