Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq

Daçiq: Serbia nuk e ka ndalur fushatën e tërheqjes së njohjeve të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë,  Ivica Daçiq  sot i ka quajtur “gënjeshtër te madhe” raportimet e mediave se Serbia e ka pezulluar fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“Serbia nuk e ka ndalur fushatën për tërheqjen e njohjes së Kosovës, dhe as nuk do të ndalet nëse të gjithë të tjerët nuk ndalojnë fushatën për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë” citohet të ketë thënë Vuçiq për REL, raporton Tanjug.

Radio Evropa e Lirë sot ka raportuar se sipas burimeve diplomatike në Brukel, Serbia e ka ndërprerë fushatën e saj kundër pavarësinë e Kosovës

Sipas tyre këtë veprim Beogradi e ka ndërmarrë me qëllimin që të tregojnë gatishmërinë e tyre  për rifillim të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Numri i vendeve që tërhoqën njohjen e pavarësisë së Kosovës, është i panjohur dhe nuk dihet numri i saktë i konfirmuar, që erdhi si rezultat i përpjekjeve diplomatike të Serbisë.

Sidoqoftë zyrtarët e lartë të Serbisë, përfshirë Presidenti Aleksander Vuçiq nuk e kanë fshehur faktin se ata kanë drejtuar diplomacinë e tyre në atë drejtim. Serbia gjithashtu hapur kishte kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si Interpol dhe UNESCO.

Qeveria Kurti kishte marrë disa vendime për të filluar zbatimin e reciprocitetit ndaj shtetit të Serbisë pasi ka hequr tarifën 100 për qind.

Ditë më parë ekzekutivi kishte marrë vendim, i cili parasheh që në marrëdhëniet tregtare me Serbinë të ndalohen dokumentet për produkte bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ishte shprehur i zhgënjyer me masat e reja të reciprocitetit të marra mbrëmë nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë.

Ashtu si ShBA edhe BE kanë kërkuar largimin e barrierave për tiu kthyer dialogut i cili është ndërprerë për shkak të tarifës 100 për qind të cilën qeveria e Kosovës e ka vendosur për produktet e Serbisë në nëntor të vitit 2018.