D+ publikon raportin e monitorimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit

Organizata ‘Demokraci Plus’ (D+) ka publikuar raportin e monitorimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) në kuadër të programit të USAID, “Aktiviteti i USAID-it për integritet të komunave të Kosovës”.

Raporti paraqet një vlerësim të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), bazuar në vëzhgimet e monitoruesve të ‘D+’ në gjashtë mujorin e parë të vitit 2023.

Sipas ‘D+’, raporti vë në pah sfida të ndryshme të përformacës së OShP-së si mos konsistenca në vendimmarrje, gabimet e ekspertëve, vonesat në vendimmarrje dhe pamjaftueshmëria në transparencë.

Kjo organizatë e ka konsideruar shqetësuese që në 51 raste, OShP ka devijuar nga rekomandimet e ekspertëve.

“Në 51 raste (nga 272 vendime), vendimet e OShP-së kanë devijuar nga rekomandimet e ekspertëve. Ky trend është shqetësues, duke treguar që këshillat e ekspertëve mund të anashkalohen. Gjithashtu mund të zvogëlojë besimin në vendimmarrjen e OShP-së dhe të ngrejë pyetje në lidhje me efikasitetin dhe transparencën”- thuhet në raport.

Vonesat në adresimin e ankesave nga OShP është një tjetër gjetje e evidentuar në raportin e monitorimit.

“Nga 272 rastet e publikuara, vetëm 82 ankesa u adresuan brenda afatit ligjor të kërkuar prej 34 ditëve”- theksohet në raportin e ‘D+’.

Sa i përket transparencës së ueb-faqes së OShP-së, ‘D+’ thotë se ajo ka ende mangësi.

“Ndonëse kjo faqe ka rritur nivelin e transparencës, e njëjta vazhdon të ketë mangësi. Kjo pasi OShP tash e gati dy vite nuk ka të angazhuar një zyrtar të TI-së, duke çuar në boshllëqe teknologjike siç është mungesa e ankesave të parashtruara nga operatorët ekonomikë. Specifikisht, ankesat me numër të protokollit 702/22, 726/22 dhe 676/22 nuk janë të ngarkuara në ueb faqe. Pa këto dokumente, është e pamundur qasja në ankesat e palëve, duke shkaktuar mungesë të informacioneve të rëndësishme të cilat duhet të adresohen”- thuhet në raport.

Këtu mund ta lexoni raportin e plotë të D+ për Organin Shqyrtues të Prokurimit.