Publikimi i raportit "Keqpërdorimi i marrëveshjeve për shërbime të veçanta në nivelin qendror, Foto: KALLXO.com

Raporti i D+: Pozitat e lira në institucione plotësohen me kontrata për shërbime të veçanta, jo me procedura e rregullta të rekrutimit

Institucionet plotësojnë pozitat e lira brenda institucionit duke përdorur marrëveshjet për shërbime të veçanta, dhe jo duke përdorur procedurat e rregullta të rekrutimit.

Kjo është një nga gjetjet që është evidentuar në raportin “Keqpërdorimi i marrëveshjeve për shërbime të veçanta në nivelin qendror”, të hartuar nga organizata Democracy Plus.

Raporti është hartuar duke analizuar kontratat e nëntë institucioneve. Për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe Ministrinë e Ekonomisë janë analizuar kontrata për shërbime konsulente.

“Grupi i parë i kontratave ka të bëjë me shërbimet që kontraktohen në emër të konsulentëve/ekspertëve/këshilltarëve, mirëpo realisht puna për të cilën njëjtit kontraktohen janë punë të zakonshme administrative, që janë përgjegjësi e stafit të punësuar në institucioneve” – ka deklaruar Egzona Kozhani, autore e raportit nga D+.

Ndërsa për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT), Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) dhe Postën e Kosovës, janë analizuar kontratat për përfaqësim ligjor.

“Në këto raste, institucionet edhe pse kanë zyrën/departamentin/drejtorinë ligjore, sërish kontraktojnë kompani për përfaqësim ligjor (realizimin e punëve të njëjta), mirëpo me kompensim mujor shumë më të lartë” – shtoi Kozhani.

Një gjetje tjetër e këtij raporti ishte edhe që këto kontrata për shërbime të veçanta po shfrytëzohen për zgjatje të afatit të punës për konsulentët e kontraktuar përmes prokurimit për shërbime të veçanta.

Po ashtu, raporti ka evidentuar edhe që për kontraktimin e ekspertëve/konsulentëve/këshilltarëve, institucionet në dosje të tenderit paraqesin kërkesa minimale për kualifikime dhe përvojë të punës.

“Që dëshmon se qëllimi nuk është kontraktimi i ekspertit për ofrimin e ekspertizës por më shumë si vend pune për punë të zakonshme administrative” – theksohet në raport.

Një gjetje duke iu referuar kontratës së analizuar, thuhet se Posta e Kosovës ka kontraktuar një kompani ligjore për punë të njëjta siç edhe ka përshkrimin Drejtoria për Çështje Ligjore në këtë kompani.

Në lidhje me këtë gjetje, foli edhe Hasim Krasniqi, drejtor i Prokurimit në Postën e Kosovës. Ai deklaroi se kjo kontratë është lidhur për të shmangur konfliktin e interesit për shkak se në këtë rast zyrtari përgjegjës ligjor ka pasur kontest me Postën e Kosovës dhe është dashur të angazhohet dikush nga jashtë për ta mbrojtur Postën e Kosovës në këtë rast.

Në fokus të këtij raporti ka qenë edhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Në prill të vitit 2023, kjo ministri ka nënshkruar një kontratë në vlerë 210,712 euro, për angazhimin e 13 konsulentëve për 36 muaj, për nevojat e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Gjetja në këtë kontratë të analizuar ishte se ishin vendosur kërkesa minimale lidhur me përvojën e punës për kontraktimin e ekspertëve/konsulentëve.

Referuar gjetjes së evidentuar në raport, nga Ministria e Bujqësisë foli Fatmir Istrefi, i cili tha se ky aktivitet ka qenë i planifikuar me plan të prokurimit dhe është aprovuar edhe nga sekretari i ministritë.

Zyrtarët e angazhuar në kuadër të AZHB-së, janë kontraktuar pasi e njëjta ka mungesë të stafit për shkak të suspendimit të tyre për shkak të keqpërdorimeve me subvencione.

Një nga aktivitetet e prokurimit që është analizuar në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve është angazhimi i konsulentëve për tatimin në pronë, mbledhje dhe mbledhje të detyrueshme të tatimit.

Në raport thuhet se aktiviteti i parë i prokurimit i shpallur përmes procedurës së hapur ishte apeluar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, ndërkohë ministria kishte shpallur të njëjtin tender përmes procedurës së negociuar dhe e kishte angazhuar konsulentin pa e pritur vendimin e OSHP-së.

Për këtë aktivitet të prokurimit dhe arsyen se pse ka ndodhur kjo, ka folur Xhevat Simnica, zyrtar i prokurimit nga Ministria e Financave. Ai shtoi se në atë kohë janë vonuar shumë trajtimi i lëndëve në OSHP dhe ministrisë i është dashur zyrtari përkatës për shkak se kishte ardhur koha për mbledhjen e tatimit.

Kjo nuk është hera e parë që D+ realizon një raport mbi lidhjen e marrëveshjeve për shërbime të veçanta. Një raport i tillë është publikuar edhe në vitin 2022, që përfshinte institucione të nivelit qendror dhe lokal. Gjetja kryesore nga kontratat e analizuara vitin e kaluar ishte se te një numër i madh i marrëveshjeve për shërbime të veçanta ishte përdorur çmimi më u ulët si kriter për dhënien e kontratës. Për dallim nga viti i kaluar, në raportin e vitit 2023 evidentohet që në shumicën e rasteve është përdorur kriteri ekonomikisht më i favorshëm.

Deri në vitin 2020, punësimet e ekspertëve/këshilltarëve/konsulentëve është bërë përmes Ligjit për Shërbyesit Civilë. Nga viti 2020, punësimi i tyre bëhet përmes Ligjit të Prokurimit, me marrëveshje për shërbime të veçanta, që mund të jenë me kohëzgjatje deri në 36 muaj.

Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka hartuar rregullat për prokurim të shërbimeve të veçanta të cilat kanë hyrë në fuqi më 22 shtator 2020. Edhe pse rregullorja ka hyrë në fuqi në shtator, asaj nuk kanë mundur t’i referohen institucionet për punësim të stafit me marrëveshje për shërbime të veçanta deri më 18 nëntor 2020, për shkak të problematikave që kanë dalë me paragrafin 3 të nenit 3 të rregullores.

Sipas të dhënave zyrtare nga 2 mijë deri në 4 mijë persona në vit janë punësuar me kontrata mbi vepër në kundërshtim me ligjin, pa konkurse ose për pozita të rregullta deri sa ka qenë në fuqi Ligji për Shërbyesit Civilë.

Ndërsa sipas të dhënave të prezantuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit në tryezën e organizuar nga D+, në vitin 2022 përmes tenderëve janë angazhuar 1500 persona. Sipas këtyre të dhënave, prin Agjencia e Statistikave të Kosovës, më pas vijnë Komuna e Prishtinës dhe ajo e Deçanit.