COVID-19 , plani për shfrytëzim të objektit të Institutit Rajonal në Ferizaj dështoi

Objekti i Institutit Rajonal në Ferizaj ishte menduar të shfrytëzohej për trajtimin e pacientëve me COVID-19, mirëpo një gjë e tillë mbeti vetëm në letër.

Drejtori i Spitalit Rajonal të Ferizajt, Jeton Zeqiri, në një intervistë dhënë për KALLXO.com tregoi se ish-Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në fillim pati thënë se prioritet e ka furnizimin me pajisje të këtij objekti, por sipas drejtorit një gjë e tillë nuk u bë.

“Ne e kemi bërë një plan të detajuar sa i përketë pajisjeve dhe pjesëve tjera përcjellëse që i nevojiten punëtorëve shëndetësor, këtë projekt e kemi dorëzuar në ShSKUK qysh nga 13 marsi i vitit 2020 që në atë kohë ministri i shëndetësisë Armend Zemaj i ka dhënë një prioritet për realizimin e këtij projekti por fatkeqësisht asnjëherë nuk është finalizuar, duke e parë situatën e tillë kemi qenë të detyruar që t’i lirojmë hapësirat tona dhe në këtë mënyrë ta menaxhojmë situatën e këtij virusi”, tregon ai.

Madje për këtë ai thotë se asnjëherë nuk ka marrë përgjigje nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës se pse nuk është realizuar ky projekt.

Në anën tjetër, spitali është duke shfrytëzuar edhe hapësirën e Qendrës së Mjekësisë Familjare apo Emergjencës Primare për trajtimin e pacientëve me coronavirus pasi që spitali është i mbushur me pacientë.

“Përveç dializës, gjinekologjisë, dhe shërbimit emergjent, ndërsa shërbimet e tjera janë të mbyllura të gjitha për shkak se kemi një numër të konsiderueshëm të pacientëve janë duke u trajtuar”, tregon tutje ai.

Në rast se shfrytëzohen të gjitha kapacitetet për pacientët me SARS-CoV-2, drejtori thotë se do të fillohet të shfrytëzohet shkolla fillore në fshatin Lloshkobare si dhe QKMF në Noredime.