Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Çka e ndan dhe çka e bashkon me Vetëvendosjen, flet Vjosa Osmani

Kandidatja për presidente nga lista e LVV-së, Vjosa Osmani, në intervistën për “KALLXO Pernime” ka treguar se çka e bashkon dhe çka e ndan me Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas saj, me Lëvizjen Vetëvendosje e bashkon synimi për çkapjen e shtetit.

“Na bashkon synimi për çkapjen e shtetit nga elemente joligjore e kriminale, që për fat të keq kanë depërtuar në shtetin tonë. Na bashkon synimi ynë që prioritet të prioriteteve ta kemi luftimin e krimit dhe korrupsionit. Na bashkon edhe dashuria jonë për vendin”, tha Osmani.

Vjosa Osmani po ashtu ka vënë në pah edhe dallimet që i ka me Lëvizjen Vetëvendosje e që sipas saj janë të aspektit ekonomik, por thotë se janë dakorduar në program për bashkërendim të ideve.

“Ato çka na ndajnë janë kryesisht elemente për të cilat unë jam e bindur që përmes diskutimeve tona do të arrijmë kompromise që janë në të mirë të vendit. Ne kemi hyrë si subjekte të ndryshme politike, që u takojnë ideologjive të ndryshme, por që kemi arritur rezultatin tonë duke sjellë vlera të reja. Ka aspekte në të cilat nuk i kemi idetë identike. Për shembull te aspektet ekonomike e sociale. Në program është një bashkëdyzim i ideve”, tha në mes tjerash Osmani.

Ushtruesja e detyrës së presidentit ka folur edhe për procesin e dialogut. Sipas saj, dialogu nuk pritet të jetë prioriteti kryesor.

“Dialogu është njëri nga prioritet, por nuk është në fillim sepse ne kemi marrë besim qytetar që të merremi me problemet akute, me çështjen e papunësisë e padrejtësive. Ne i qëndrojmë besnik atyre çfarë i kemi thënë qytetarëve”, tha Osmani.

“Në secilin takim që e kam pasur më përfaqësuesit ndërkombëtar, asnjëri nga ta nuk ka kërkuar që dialogu të jetë prioriteti numër një. Nuk ka asnjë presion nga partnerët ndërkombëtarë që ne ta vendosim dialogun si prioritet të vetëm dhe t’i harrojmë problemet e qytetarëve”, tha në mes tjerash Osmani.

Në këtë intervistë Vjosa Osmani ka folur edhe për faktin se kush pritet ta udhëheqë dialogun, kryeministri apo presidenti.

“Edhe Kushtetuta edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese e thotë që dialogun e udhëheq kryeministri dhe për këtë proces konsultohet vazhdimisht me presidentin dhe kështu do të ndodhë. Unë do ta ndihmoj procesin për aq sa ka nevojë dhe do të fokusohem për riunifikim për këtë temë”, u shpreh Osmani.

Osmani u është përgjigjur edhe akuzave se ka qenë qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ajo që i ka rrezikuar raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas Osmanit, në asnjë moment nuk janë rrezikuar raportet me ShBA-të.

“Në asnjë moment, as unë e as z.Kurti nuk i ka rrezikuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pse njerëz të caktuar kanë keqpërdorë rolin e tyre për të thënë – “Largone z.Kurti sepse serbët nuk po e duan”. Kur dikush, a vjen nga ShBA apo nga një shtet tjetër dhe më thotë largoje kryeministrin tënd sepse Serbia nuk po e do”, unë kurrë nuk ia kthej shpinën kryeministrit tim, sepse unë e zgjedhi Kosovën para Serbisë”, tha ajo.

“Ka pasur politikanë në Kosovë të cilët për hir të garës së brendshme politike, kanë dërguar dezinformata të tmerrshme mbrapa shpinës së partnerëve të koalicionit, në ShBA, gjëra që tash po dalin në shesh e që do të dalin”, shtoi në mes tjerash ajo.