Ndotja e ajrit në Prishtinë. Foto: Urim Krasniqi

Cilët janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë?

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë janë ngrohja shtëpiake, industria dhe transporti, kryesisht trafiku rrugor.

Burimet më të mëdha të emetimeve të ndotësve PM10 dhe PM2.5 vijnë nga ngrohja shtëpiake, pothuajse 50% e PM10 dhe 68% e PM2.5.

Industria është burimi i dytë me 37% për PM10 dhe 24% për PM2.5.

Ndërsa transporti, kryesisht trafiku rrugor, është burimi i tretë me 11% dhe 7% të pjesëmarrjes përkatëse.

Ajri është një përzierje e azotit (78%), oksigjenit (21%), dioksidit të karbonit (CO2) dhe disa gazeve inerte. Ajri gjithashtu përbëhet prej avullit të ujit, në sasira të ndryshme.

Cilësia e ajrit ka të bëjë me atë se sa i shëndetshëm është ajri që ne thithim.

“Ajri i pastër konsiderohet të jetë kërkesë themelore e shëndetit dhe mirëqenies së njeriut. Megjithatë, ndotja e ajrit vazhdon të përbëjë kërcënim të konsiderueshëm për shëndetin anembanë botës”, thuhet në raport.

Sipas raportit, cilësia e ajrit i referohet gjendjes së ajrit brenda mjedisit tonë rrethues. Cilësia e mirë e ajrit ka të bëjë me shkallën në të cilën ajri është i pastër, i kthjellët dhe pa ndotës, siç janë tymi, pluhuri dhe smogu mes papastërtive të tjera të gazta në ajër. Cilësia e ajrit përcaktohet duke vlerësuar një sërë treguesish të ndotjes. Cilësia e mirë e ajrit është kërkesë për ruajtjen e ekuilibrit të qëndrueshëm të jetës në tokë për njerëzit, bimët, kafshët dhe burimet natyrore.

“Cilësia e ajrit varet gjithashtu nga afërsia me burimin dhe lartësinë ku lirohen ndotësit; me kushtet meteorologjike, duke përfshirë erën dhe nxehtësinë; me transformimet kimike (reaksionet ndaj dritës së diellit, ndërveprimet ndotëse)”, vazhdon raporti.

Çka është ndotja e ajrit?

Ndotja e ajrit i referohet lirimit të substancave në atmosferë të cilat janë të dëmshme për njerëzit, organizmat e gjallë ose bimët, dhe të cilat i shkaktojnë dëme klimës, materialeve dhe ndërtesave. Ndotja e ajrit përbëhet prej kimikateve ose grimcave siç janë gazrat, grimcat e ngurta ose pikëza e lëngëta.

Ndotja primare e ajrit shkaktohet prej emetimeve nga sistemet ngrohëse te objekteve të banimit ose nga ato komunale, nga fabrikat, veturat, burimet e mëdha të djegies siç janë termocentralet, nga sektori i bujqësisë ose burimet natyrore siç janë vullkanet. Ndotja e ajrit është më e zakonshme në qytete të mëdha ku grumbullohen emetime nga shumë burime të ndryshme.

Materiet grimcore (PM) janë një tregues të zakonshëm të matjes së ndotjes së ajrit. Këta  ndotës ndikojnë tek njerëzit më shumë se çdo ndotës tjetër. Komponentët kryesorë të PM janë sulfatet, nitratet, amoniaku, kloruri i natriumit, karboni i zi, bloza, pluhuri mineral dhe uji. Ato përbëhen nga një përzierje komplekse e materieve grimcore dhe të lëngshme të substancave organike dhe inorganike të shpërndara në ajër. Ekziston një lidhje e ngushtë sasiore ndërmjet ekspozimit ndaj përqendrimeve të larta të materieve grimcore (PM10 dhe PM2.5) dhe rritjes së vdekshmërisë ose sëmundshmërisë, si ditore ashtu edhe me kalimin e kohës.

Gjersa grimcat me diametër prej 10 mikronë ose më pak, (≤ PM10) mund të depërtojnë dhe të futen thellë brenda mushkërive, prapëseprapë grimcat më shumë të dëmshme për shëndetin janë ato me diametër prej 2.5 mikronë ose më pak (≤ PM2.5).

Grimcat PM2.5 mund të depërtojnë nëpër barrierën e mushkërive dhe të hyjnë në sistemin e gjakut. Ekspozimi kronik ndaj grimcave kontribuon në rrezikun e plakjes së përshpejtuar të mushkërive, në humbjen e kapacitetit të mushkërive, në uljen e funksionimit të tyre, si dhe në zhvillimin e sëmundjeve si astma, emfizema, bronhiti, kanceri i mushkërive, dëmtimi i trurit, si dhe sëmundja ishemike e zemrës (SIZ) dhe goditjet në tru si shkaqet kryesore të vdekjes. Simptomat si kollitja, gëlbazi, fishkëllimat, shtrëngimi në gjoks, dhimbja e gjoksit, palpitacionet, gulçimi dhe lodhja e pazakontë janë simptomat më të zakonshme tek njerëzit e prekur nga ndotja e ajrit prej këtyre grimcave.

Dioksidi i sulfurit (SO2) është një gaz toksik, pa ngjyrë, me erë të keqe, dhe formohet nga djegia e karburanteve që përmbajnë sulfur, siç është qymyri dhe nafta. SO2 formohet gjatë proceseve të ndryshme industriale dhe energjetike të djegies. Ky gaz mund të shkaktojë probleme në frymëmarrje si bronkit, irritim i hundës, fytit dhe mushkërive. Mund të shkaktojë kollitje, fishkëllima, gëlbazë dhe sulme astmatike. Efektet janë edhe më të rënda kur bëni ushtrime. Dioksidi i sulfurit lidhet edhe me sëmundjet kardiovaskulare.

Dioksidi i azotit (NO2) është burimi kryesor i aerosoleve të nitrateve të cilat përbëjnë një fraksion të rëndësishëm të PM2.5 dhe të ozonit nëprani të rrezeve ultraviolete. Burimet kryesore të emetimeve antropogjene të NO2 janë proceset e djegies (ngrohja, gjenerimi i energjisë dhe motorët e automjeteve dhe anijeve). NO2 është gaz toksik, i cili shkakton inflamacion të konsiderueshëm të rrugëve të frymëmarrjes. Studimet epidemiologjike kanë treguar se simptomat e bronkitit tek fëmijët astmatikë rriten kur ndërlidhen me ekspozimin afatgjatë ndaj NO2. Zvogëlimi i funksionimit të mushkërive poashtu lidhet me NO2 në përqendrimet aktualisht të matura (ose të vëzhguara) në qytetet e Evropës dhe Amerikës së Veriut.

Ozoni (O3) në shtresën e tokës – për të mos u ngatërruar me shtresën e ozonit në atmosferë – është një nga përbërësit kryesorë të smogut fotokimik. Ai formohet nga reaksioni i rrezeve të diellit (reaksion fotokimik) me ndotës si oksidet e azotit (NOx) nga emetimet e automjeteve dhe industrisë, si dhe Bashkëdyzimet Organike të Avullueshme(BOA) të emetuara nga automjetet, tretësit dhe industria. Si rezultat i kësaj, nivelet më të larta të ndotjes nga ozoni ndodhin gjatë periudhave të motit me diell. Sasia e tepërt e Ozonit në ajër mund të ketë ndikim të dukshëm në shëndetin e njeriut. Mund të shkaktojë probleme me frymëmarrje, shkakton astmën, zvogëlon funksionimin e mushkërive dhe shkakton sëmundjen e mushkërive .

BOA janë komponime të gazta të emetuara nga industria, automjetet rrugore, ngrohjet e ekonomive familjare dhe gjenerimi i energjisë. BOA-të përfshijnë një shumëllojshmëri kimikatesh që mund të shkaktojnë irritim të syve, hundës dhe fytit, gulçim, dhimbje koke, lodhje, ndjesi të të vjellit, marramendje dhe probleme të lëkurës. Përqendrimet e larta mund të shkaktojnë ngacmim të mushkërive, si dhe dëmtim të mëlçisë, veshkave ose sistemit nervor qendror.

Efektet e ndotjes së ajrit në shëndet

Ndotja e ajrit ka ndikime të konsiderueshme në shëndet, mjedis dhe ekonomi.

Kështu thuhet në një raport të publikuar nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Sipas këtij raporti, ndikimi negativ është veçanërisht i dukshëm tek shëndeti i qytetarëve, sidomos tek ata që jetojnë në zona urbane dhe afër zonave ku ka trafik intensiv dhe zonave industriale.

Ndotja e ajrit njihet si një nga kontribuesit kryesorë të barrës globale mjedisore të sëmundjeve.

“Çdo vit, mijëra njerëz që vuajnë nga efektet e ndotjes së ajrit shtrihen në spitale, e disa prej tyre edhe vdesin para kohe. Ndotja e ajrit prek njerëzit çdo ditë, por kërcënim më të madh për shëndetin e njeriut përbën ekspozimi afatgjatë në doza më të ulëta”, thuhet në raport.

Ndotja e ajrit mund të ketë efekt negativ në shëndet, varësisht nga kohëgjatësia e ekspozimit, nga gjendja shëndetësore dhe përqendrimi i ndotësve.

Kur ndotësit e ajrit të përmasave mikroskopike hyjnë në trup, duke depërtuar thellë në sistemin e frymëmarrjes dhe të qarkullimit të gjakut, ato mund të kenë efekte në organe dhe sisteme të ndryshme të organizmit, jo vetëm në sistemin e frymëmarrjes.

Në raport theksohet se ndotësit mikroskopik të ajrit ndikojnë negativisht në pjekurinë e trurit dhe në zhvillimin mendor të fëmijëve.

Ekspozimi afatgjatë ndaj ajrit të ndotur mund të shkaktojë efekte serioze dhe të përhershme shëndetësore, siç janë:

  • Plakja e përshpejtuar e mushkërive;
  • Humbja e kapacitetit të mushkërive dhe rënia e funksionimit të mushkërive;
  • Zhvillimi i sëmundjeve të tilla si astma, bronkiti, emfizema, e ndoshta edhe kanceri i mushkërive.
  • Sëmundja ishemike e zemrës dhe goditjet në tru, që shkaktojnë 80% të vdekjeve të parakohshme për shkak të ndotjes së ajrit.

Jini të vëmendshëm ndaj simptomave, siç janë:

  • kollitja, gëlbazi, shtrëngimi në gjoks, fishkëllima, vështirësia në frymëmarrje
  • shtrëngimi në gjoks, dhimbja e gjoksit (angina pectoris), palpitacionet, gulçimi, lodhje e pazakontë, sëmundje të arterieve koronare, ritme abdominale, dështim kongjestiv i zemrës, goditjet në tru

Në raport këshillohet që gjithmonë të vizitohet mjeku familjar ose klinika shëndetësore në rast se përjetohen efekte negative nga ndotja e ajrit.

Më shumë mbi cilësinë e ajrit, ndotjen e ajrit, efektet e ndotjes së ajrit mund të lexoni në raportin e publikuar nga IHK në këtë LINK.