Foto: Kallxo.com

Cilat janë udhëzimet e ministrisë për darsmat e ahengjet këtë vit?

Përderisa Ministria e Shëndetësisë tashmë ka hartuar një plan me faza të lehtësimit të masave izoluese, ahengjet dhe grumbullimet familjare për këtë vit ende janë  në pikëpyetje.

Në fakt, sipas planit të ministrisë, ahengjet janë disa prej lejeve të fundit që do të mund të jepen nëse situata epidemiologjike me COVID-19 bie në mënyrë të konsiderushm.e

Ndërkohë, momentalisht në Kosovë janë 813 raste të infektimit, 298 të shëruar dhe 22 të vdekur. Kjo i bie që raste aktive të infeksionit janë 493.

Të enjten, Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar një plan tri fazësh të hapjes së ekonomisë nga data 1 maj. Sipas ministrisë, këto faza do të jenë dy javëshe dhe secila fazë do të varet nga situata me COVID-19 në fazën paraprake.

Sipas planit të prezantuar, në fazën e tretë, e cila fillon më 1 qershor do të bëhet rishikimi i hapjes së disa sektoreve të ekonomisë varësisht prej situatës epidemiologjike, ku bëjnë pjesë edhe ahengjet.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në konferencë ka deklaruar se këtë vit mund të mos ketë organizime të ahengjeve me numër të madh të të ftuarve, gjë që ka ngjallur polemika në publik.

“Këtë vit ndoshta nuk do të kemi festime ditëlindjesh me miq; fejesa, ahengje dhe martesa me tubime e nuk do të kemi as ceremoni mortore me tubime. Kjo nuk do të thotë se ne nuk do të festojmë ditëlindjet, fejohemi dhe martohemi, por pa të ftuar e pa grumbullime. Një ceremoni mortore për një jetë njeri rrezikon jetën e dhjetëra të tjerëve, apo kurorëzimi i dashurisë së dy personave mund të kthehet në hidhërimin e qindra të tjerëve”, kishte deklaruar Vitia.

E në mesin e zhurmës nëse këtë verë do të kemi dasma me qindra të ftuar, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe këngëtari, Labinot Tahiri, ka bërë thirrje për protesta.

Sipas tij, ndalimi i mbajtjes së ahengjeve familjare, në kohë pandemie, është i papranueshëm pasi kanë marrë edhe kaparet nga konsumatoret dhe nuk mund t’i kthejnë pasi i kanë harxhuar. Kështu, Tahiri ka ftuar kolegët e vet këngëtarë që t’i përgjigjen ftesës për protesta.

“Uroj që Estrada është e gatshme të reagoj dhe pronarët e restoranteve dhe të diskotekave! Fundja, unë fitoj nga ky profesion dhe ndaj paratë e mia me skamnoret tash e 15 vite , nesër me dhimbet qytetari nëse nuk kam me i dhuru diçka”, ka thënë ai në Facebook. Ai tutje tha se nuk beson që ekziston COVID-19.

Edhe Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit Pro in ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit Vitia.

Ata përmes një reagimi në Facebook kanë thënë se nëse ky vendim merret atëherë do të pëson shumë persona dhe familje pasi burim i të ardhurave të tyre janë pikërisht dasmat.

“Dëmet janë të mëdha si në restaurante, punëtorë hotelieri, këngëtar, orkestra të ndryshme muzikore, kameraman e fotograf, prodhuesit vendor të pijeve dhe ushqimit. Taksat do të jenë minus për shtetin dhe ndikimi i mërgatës pasi që ata janë të cilët e mbushin vende me para”, thuhet në reagimin e tyre.

“Është kërkesa e jona që të bashkangjiteni të gjithë ata që kanë lidhje me ne për një reagim të fuqishëm ose edhe me një peticion ku do të përfshihen të gjithë akterët që janë pjesë e jona apo anasjelltas. Të gjitha këto kategori apo lloje biznese që kanë lidhshmëri me ne janë pagues të shtetit tonë. Janë me qindra e mijëra familje që varen kryesisht nga ato që fitojnë nga puna e tyre e ushqejnë familjet”, thuhet tutje në reagimin e tyre.

Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi përmes një sqarimi në Facebook ka thënë se thënë se nëse situata me COVID-19 do ta përcjellë Kosovën gjatë verës, ku do të pamundësohej organizimi i dasmave me numër të madh mysafirësh, atëherë Oda Ekonomike së bashku me të gjithë zingjirin e akterëve të një dasme dhe do të shohin mundësitë e kompenzimit të dëmeve, shtyrjen e kontratave me klientët, lehtësirat tatimore, programimet e borxheve të krijuara për kostot fikse e të tjera.

Ndërsa tutje, Rukiqi ka shtuar se që nga java tjetër do të fillojë diskutimin për zgjidhje alternative.

“Nëse situata epidemiologjike dhe masat përcjellëse, sidomos distanca sociale që do të na përcjell për një kohë më të gjatë, që praktikisht e pamundëson mbledhjen e një numri te madh te njerëzve në një vend, atëherë duhet te ulemi me te gjithë akterët e lartë cekur dhe te bëjmë një plan për: mundësitë e kompenzimit te dëmeve, shtyrjen e kontratave me klientët, lehtësirat tatimore, programimet e borxheve re krijuara për kostot fikse, etj. Nga java tjeter do t’i takoj shume nga ata qe i ceka me larte, për te diskutuar situatën e vështirë neper te cilën po kalojnë dhe zgjidhjet alternative për cdo situate qe mund te krijohet”, ka shkruar Rukiqi.

Plani i largimit të masave kufizuese dhe hapjes së ekonomisë nuk parasheh kufizim të organizimit të dasmave dhe as nuk nënkupton që ka ndonjë vendim, por se, e gjitha do të jetë varësisht prej situatës me COVID-19.