Aksioni i AUV dhe Policisë, ndalojnë 10 dasma që po u mbaheshin në regjionin e Prizrenit

Në 10 ahengje familjare ka ndërhyrë mbrëmë Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) bashkë me Policinë̈ e Kosovës në regjionin e Prizrenit.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com Lamir Thaçi zëdhënësi i AUV-it.

Thaçi njoftoi se janë shqiptuar 8 gjoba juridike për lokalet e gastronomisë të cilat nuk krijuar kushte për respektim të masave COVID-19.

Përderisa thotë se 4 lokale janë mbyllur.

“Mbrëmë në Regjionin e Prizrenit Inspektorati Sanitar i AUV-së bashkë me Policinë e Kosovës gjatë kontrolleve për mbikëqyrje të zbatimit të masave anti Covid sipas vendimit të fundit të Qeverisë, kanë ndaluar mbajtjen e 10 ahengjeve familjare, dhe janë shqiptuar  8 gjoba juridike për lokalet e gastronomisë të cilat nuk krijuar kushte për respektim të masave Covid 19. 4 lokale janë mbyllur. Në Prishtinë është gjobitur një lokal. Kontrollet strikte do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim për të ndikuar në rënie të numrit të të infektuarve”, ka thënë Thaçi teksa ftoi qytetarët dhe bizneset të tregohen të kujdesshëm në respektim të masave.

Në bazë të vendimit të Qeverisë, shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë deri në orën 22:30 dhe të zhvillojnë aktivitete e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës.

Ndërkaq janë ndaluar të gjitha veprimtaritë e klubeve të natës, organizimet e dasmave, të fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës në të gjithë vendin.

Masat janë në fuqi nga 20 gusht deri më 1 shtator 2021.