Reuters me reportazh për karakteristikat e dasmës tradicionale në fshatin e Prizrenit

Agjencia prestigjioze ndërkombëtare e lajmeve “Reuters”, ka realizuar një reportazh që tregon për karakteristikat e dasmës tradicionale të komunitetit boshnjak në fshatin Lubinjë të Poshtme të komunës së Prizrenit.

Artikulli tregon historinë e nuses nga Çikago, Melisës që u martua me djalin nga Kosova dhe organizoi dasmën e saj të ëndrrave, me fytyrën e ngjyrosur dhe folklorin të cilësuar si formë arti.

Duke ruajtur një traditë shekullore, ngjarja e cila zhvillohet dy ditë radhazi është një festival muzike dhe vallëzimi për të shfaqur një nuse të shkëlqyer me kostumin tradicional boshnjak, raporton Reuters.

Melissa Guerrero nga Amerika në vitin 2013 kishte marrë pjesë në një dasmë tradicionale në Lubinjë të Poshtme, afër qytetit të Prizrenit për të takuar atë kohë familjen e të dashurit të saj.

Reuters raporton se Melisës i kishte pëlqyer dasma dhe kishte ëndërruar të bënte një të tillë.

Javën e kaluar Melissa, 30 vjeçe, e realizoi ëndrrën e saj. E veshur nga koka te këmbët me kostum tradicional, fytyra e saj e lyer me të bardhë me sprej të përpunuar dhe pika të kuqe, blu, ari dhe argjendi, ajo u martua me Melsid Rexhepin, i cili është nga një familje boshnjake në Kosovë. Ai ishte shtatë vjeç kur filloi lufta në Kosovë dhe familja e tij u shpërngul në Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa Melisa përgatitej për ceremoninë e dasmës, muzika e zhurmshme e daulleve luante ndërsa një grua e moshuar lyente fytyrën e saj, një proces që zgjat rreth dy orë gjatë së cilës nusja nuk mund të hapë sytë, të flasë me askënd ose të hajë ose pijë. Kuzhinierët që kishin therur një dem të madh përgatitën ushqim për një festë për qindra njerëz.

“Kur erdha për herë të parë në vitin 2013, isha dëshmitare e një dasme këtu dhe thjesht mendova se ishte kaq e pasur dhe kaq e veçantë dhe është diçka që nuk e kisha parë kurrë askund tjetër në botë” – tha Melissa, një dizajnere grafike, elindur në Meksikë përpara se familja e saj të emigronte në Shtetet e Bashkuara kur ajo ishte 11-vjeçare.

Ajo u takua me Melsidin në shkollën fillore në Çikago.

“Të gjitha ato linja dhe ato ngjyra në fytyrën e nuses simbolizojnë një përvojë që të jetë lumturia, dashuria, respekti, harmonia e kështu me radhë,” – tha Xhavit Rexhepi, një ish-profesor i biologjisë, i cili ka shkruar një libër mbi traditat lokale në këtë zonë.

Megjithëse piktura dhe kostume të ngjashme të fytyrës, të cilat janë me origjinë pagane, mund të gjenden në komunitete të tjera në vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Turqia, Rexhepi tha se dizajnet e fustaneve të nusërisë në fshatin e tij janë unike.