Foto: Policia/Dogana

Gjatë verës u arrestuan 81 persona e u konfiskuan 112 armë në dasma

Policia e Kosovës për të shtëna me armë në dasma e ahengje gjatë verës ka arrestuar 81 të dyshuar dhe ka konfiskuar 112 armë.

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se ky aksion ka filluar më 28 qershor 2021.

Aktivitete policore kanë ndikuar në reduktim të rasteve të tilla, por prapë ka pasur raste kur edhe janë përdorur armët për qëllime të tilla.

“Çdo herë ku policia ka pasur informatë nga qytetarët apo gjatë patrullimeve është ardhur deri tek informata se në një rast të tillë janë përdorur armët, policia ka intervenuar. Kështu, gjatë kësaj kohe për shkak të të shtënave me armë, policia ka arrestuar 81 (tetëdhjetë e një) persona, ka konfiskuar: 91 (nëntëdhjetë e një) revole dhe 21 (njëzet e një) armë të gjata. Policia ka iniciuar raste penale si: ‘armëmbajtje pa leje’ ose ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ për ata persona që dyshohet të jenë përfshirë në raste të tilla”, thuhet në komunikatën e policisë.

Nga këto raste, Policia e Kosovës ka njoftuar se nuk ka pasur asnjë të lënduar.