Ilustrim, Foto: Gazprom/Facebook

Çfarë ndodh me energjinë e Evropës nëse Rusia lëviz drejt një pushtimi të Ukrainës?

Frika po rritet lidhur me atë që do të ndodhte me furnizimin me energji të Evropës nëse Rusia do ta pushtonte Ukrainën dhe më pas do t’i mbyllte eksportet e gazit natyror si hakmarrje ndaj sanskioneve të vendosura nga SHBA-të dhe vendet evropiane.

Tensionet tregojnë rrezikun e mbështetjes së Evropës nga Rusia për energji, e cila furnizon rreth një të tretën e gazit natyror të kontinentit evropian. Dhe stoku i Evropës është tashmë i ulët. Ndërsa ShBA-ja është zotuar të ndihmojë duke i rritur eksportet e gazit natyror të lëngshëm.Tani për tani kjo sasi nuk mjafton dhe kjo e lë Evropën në një krizë të mundshme, me gazin e saj tashmë të konsumuar nga një dimër i ftohtë vitin e kaluar, një verë me pak prodhim të energjisë së rinovueshme dhe Rusia që jep më pak se zakonisht. Çmimet janë rritur, duke iua vështirësuar jetën familjeve dhe bizneseve.

Në vijim janë po japim gjërat që duhet ditur lidhur me furnizimin me energji të Evropës nëse tensionet kalojnë në luftë dhe Rusia goditet me sanksione.

A do t’i ndërprejë Rusia furnizimet me gaz në Evropë?

Askush nuk e di me siguri, por një mbyllje e plotë shihet si e pamundur sepse do të ishte reciprokisht shkatërruese.

Zyrtarët rusë nuk kanë sinjalizuar se do ta konsideronin ndërprerjen e furnizimeve në rast të sanksioneve të reja. Moska mbështetet në eksportet e energjisë, dhe megjithëse sapo ka nënshkruar një marrëveshje gazi me Kinën, Evropa është një burim kryesor i të ardhurave.

Europa është gjithashtu e varur nga Rusia, kështu që çdo sanksion perëndimor ka të ngjarë të shmangë shënjestrimin e drejtpërdrejtë të furnizimeve ruse të energjisë.

Më shumë gjasa, thonë ekspertët, do të ishte që Rusia ta ndalonte gazin e dërguar përmes tubacioneve që kalojnë përmes Ukrainës. Rusia i ka dërguar 175 miliardë metra kub gaz në Evropë vitin e kaluar, gati një e katërta e tij përmes këtyre tubacioneve, sipas S&P Global Platts. Kjo do të bënte që tubacionet nën Detin Baltik dhe përmes Polonisë të vazhdojnë ende së funksionuari.

“Mendoj se në rast të një sulmi edhe më pak të ashpër rus kundër Ukrainës, rusët janë pothuajse të sigurt se do ta ndërpresin gazin që kalon në Ukrainë në rrugën për në Gjermani”, thotë ish diplomati amerikan Dan Fried, i cili si koordinator i Departamentit të Shtetit për politikën e sanksioneve ndihmoi në hartimin e masave të vitit 2014 kundër Rusisë kur ajo e pushtoi dhe aneksoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës.

Rusia më pas mund ta ofrojë kompensimin e gazit të humbur nëse Gjermania miraton gazsjellësin e ri të diskutueshëm Nord Stream 2, operatorët e të cilit mund të përballen sanksionet emundshme të Shteteve të Bashkuara edhe pse një votim i kohëve të fundit për këtë qëllim dështoi.

Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, tha të dielën në “Meet the Press” të NBC se administrata e Bidenit është koordinuar me aleatët e saj dhe se “nëse Rusia e pushton Ukrainën, në një mënyrë ose në një tjetër, Nord Stream 2 nuk do të funksionojë”.

Ndërprerja e furnizimeve me gaz përtej tubacioneve ukrainase ka më pak gjasa: “Nëse vendosin të jenë aq të ashpër me vendimet e tyre, ata do ta bëjnë të pariparueshëm një prishje marrveshjesh me Evropën dhe duhet ta shesin naftën dhe gazin diku”, tha Fried.

Çfarë mund të bëjë ShBA?

Është një prodhues i madh gazi dhe tashmë po dërgon nivele rekord të gazit natyror të lëngshëm, ose LNG, me anije në mbarë botën. Mund ta ndihmonte vetëm pak Evropën.

“Ne po flasim për rritje të vogla në madhësinë e eksporteve te ShBA-së, ndërsa hendeku që Evropa do të duhej të mbushte nëse Rusia tërhiqej ose nëse Evropa e ndërpret Rusinë do të ishte shumë më e madhe se kaq,” thotë Ross ëyeno, analist kryesor për Americas LNG në S&P.

Administrata Biden ka biseduar me prodhuesit e gazit në mbarë botën nëse ata mund ta rrisin prodhimin dhe dërgimin në Evropë, dhe ka punuar për të identifikuar furnizimet me gaz natyror nga Afrika e Veriut, Lindja e Mesme, Azia dhe ShBA.

Administrata po flet gjithashtu me blerësit për të mos u zbrapsur.

“A ka ndonjë vend tjetër që ka planifikuar të marrë një dërgesë LNG që nuk ka nevojë për të dhe mund t’ia japë Evropës?” pyet Amy Myers Jaffe, drejtoreshë menaxhuese e Laboratorit të Politikave Klimatike në Universitetin Tufts, duke e përmendur Brazilin ose vendet aziatike.

Gjatë muajit të kaluar, dy të tretat e eksporteve amerikane të LNG-së shkuan në Evropë. Disa anije të mbushura me LNG po shkonin në drejtim të kontinentit aziatik mirëpo u kthyen për të shkuar në Evropë, sepse blerësit atje ofruan të paguanin çmime më të larta, tha S&P.

A ka gaz të lëngshëm të mjaftueshëm në botë për të zgjidhur problemin?

Jo, nuk ka në rast të një ndërprerjeje të plotë dhe nuk mund të rritet kapaciteti brenda natës. Terminalet e eksportit kushtojnë miliarda dollarë për t’u ndërtuar dhe po punojnë me kapacitet në SHBA.

Edhe nëse të gjitha objektet e importit të LNG të Evropës do të funksiononin me kapacitet, sasia e gazit do të ishte vetëm rreth dy të tretat e asaj që Rusia dërgon përmes tubacioneve, thotë Jaffe.

Dhe mund të ketë sfida për shpërndarjen e LNG-së në pjesë të Evropës që kanë më pak lidhje tubacionesh.

Nëse Rusia ndalon së dërguari vetëm gazin që kalon përmes Ukrainës, do të duheshin ekuivalenti i rreth 1.27 ngarkesave të LNG shtesë në ditë për ta zëvendësuar atë furnizim, thotë Luke Cottell, analist i lartë i LNG në S&P. Rusia gjithashtu mund ta ridrejtojë një pjesë të atij gazi përmes tubacioneve të tjera, duke reduktuar nevojën për LNG shtesë në një gjysmë ngarkese anijeje në ditë, tha ai.

A po furnizon me pak gaz tani Rusia?

Rusia i ka përmbushur kontratat e saj afatgjata për furnizimin me gaz në Evropë, por ajo po shet më pak në tregun e parave të gatshme dhe nuk i ka mbushur kontejnerët e magazinimit që i ka në pronësi në Evropë, thonë ekspertët.

“Tashmë ka ndodhur. Nuk është teorike, “tha Jaffe.

Shkurtimet ruse në furnizimet me gaz kanë kontribuar në çmimet më të larta të gazit natyror në Evropë. Ato shkuan deri në 166 euro (190 dollarë) për megavat-orë në muajin dhjetor, tetë herë më shumë se niveli i tyre në fillim të vitit 2021. Çmimet kanë rënë nën 80 euro për kilovat-orë ndërsa më shumë LNG arrinte.

Por konsumatorët po e ndiejnë krizën në faturat më të larta të energjisë elektrike dhe gazit. Qeveritë evropiane po shpërndajnë subvencione dhe lehtësime tatimore për ta lehtësuar stresin financiar mbi familjet.

A ka ndonjë ndikim në ShBA?

Ndërkohë që ShBA i ka rritur eksportet e LNG-së, janë rritur gjithashtu çmimet e brendshme të gazit natyror. Më shumë se 10% e gazit të prodhuar në ShBA vitin e kaluar u eksportua, tha Clark ëilliams-Derry, analist në Institutin për Ekonominë e Energjisë dhe Analizën Financiare.

Çmimet e gazit në ShBA u rritën me më shumë se 30% në javën e fundit të janarit, kryesisht për shkak të një stuhie dimërore që po afrohej në New England, tha Williams-Derry. Por çmimet u ndikuan gjithashtu nga shtrëngimi i furnizimeve të ShBA-së për shkak pasigurisë lidhur me krizën Rusi-Ukrainë, tha ai.

“Rusia po i shqetëson tregjet evropiane të gazit. Nëse ShBA-ja shkon drejt rritjes së eksporteve të LNG, çmimet në vend ka të ngjarë të rriten, shtoi Williams-Derry.

Dhjetë senatorë demokratë, të udhëhequr nga Jack Reed i Rhode Island dhe Angus King i Maine, kohët e fundit i kërkuan Departamentit të Energjisë të studionte efektin e eksporteve më të larta në çmimet e brendshme dhe t’i ndalonte miratimet e terminaleve të propozuara. Ata thanë se e kuptonin se “faktorët gjeopolitikë” nxisin dërgimin e më shumë gazit.

“Megjithatë, administrata duhet gjithashtu ta marrë parasysh rritjen e mundshme të kostos për familjet amerikane,” thanë senatorët./AP