Caktohen datat për mbajtjen e festivalit ‘Polip 2020’

Edicioni i 10-të i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë, “Polip” do të mbahet nga 11 deri më 14 shtator 2020 në Prishtinë.

Qendra Multimedia, e cila organizon festivalin ka njoftuar se organizimi i edicionit jubilar të këtij festivali do t’i përshtatet situatës së krijuar nga COVID-19.

“Kemi vendosur që t’ia përshtatim formatin e prezantimit situatës së re të krijuar: shkrimtarët lokalë nga Prishtina dhe të gjithë ata që lehtë mund të vijnë në Prishtinë do të performojnë live, ndërsa autorët e huaj dhe të gjithë ata që për shkak të pandemisë janë të privuar dhe nuk mund të udhëtojnë, do të përfshihen me tekstet që do të botohen në gazetën e festivalit “Beton International”, pastaj me leximin në përmjet punimeve në video dhe me lidhje të drejtpërdrejta nëpërmjet internetit”, thuhet në njoftim.

Edicioni i 10-të i këtij festivali ishte paraparë të mbahet në maj të këtij viti, por për shkak të situatës me Coronavirus mbajtja e festivalit ishte shtyrë për në shtator.

Këtë edicion festivali planifikon të mbledhë shkrimtarë nga vendet të ndryshme të cilët do të diskutojnë për problematikat gjuhësorë në komunikimet e ndryshme në kohën tonë.

Sipas njoftimit të Qendrës Multimedia,  festivali do të fokusohet në diskursin gjuhësor e letrar të krijuar pas konflikteve ballkanike.

“Polip” është një festival ndërkombëtar i letërsisë, që sjellë në Prishtinë shkrimtarë nga Rajoni dhe Evropa. Ky festival tejkalon kornizën e një festivali të literaturës apo thjeshtë të një lidhjeje letrare, dhe ka të bëjë me një kuptim më të gjerë të ndërtimit të paqes dhe koncepteve të besimit, posaçërisht në rajone dhe shoqëri të traumatizuara.

Njëkohësisht “Polip” synon të prezantojë zërat e të rinjve në gjuhë të ndryshme, duke zbuluar melodinë e tyre specifike, muzikalitetin dhe ritmin.