Botime të reja në letërsi

Më poshtë gjeni disa botime të reja në letërsi nga Sinan Gashi, Memli Krasniqi dhe Ajete Zogaj.

1. “Llazar Siljani, studiuesi atdhetar rekas” – Sinan Gashi 

Monografia “Llazar Siljani, studiuesi atdhetar rekas” e studiuesit Sinan Gashi sjell për lexuesin, kontributin shkencor dhe patriotik të studiuesit të harruar shqiptar, Llazar Siljani.

Sipas Gashit, Siljani, i lindur në Krakornicë të Rekës së Maqedonisë së Veriut, pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Bullgari, Pllovdiv, ku edhe ka botuar tri vepra.

Për të dëshmuar punën e tij krijuesi, autori fillimisht i përmend tri veprat e botuara nga studiuesi rekas në Bullgari: “Feja a besa e shqiptarëve të vjetër”, “Kush janë shqiptarët e sotëm dhe gjuha e tyre” (kjo në bullgarisht) dhe “Afrimi i bullgarishtes së sotme me gjuhën shqipe”.

Studiuesi Gashi, shkurtazi jep informacione për këto e pastaj, përveç një analize për dy të parat, jep edhe nga një shtojcë, ku jepen fragmente nga origjinali i veprave të Siljanit, për të qenë kështu më i hapur, më i qartë dhe më bindës për lexuesin shqiptar.

Përmes kësaj monografie, Gashi pasqyron edhe kontributin patriotik të Siljanit në kuadër të lëvizjes patriotike shqiptare në Bullgari që veproi në fund të shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të.

Ballina e librit ‘Llazar Siljani, studiuesi atdhetar rekas’. Foto: KALLXO.com 

2. “Kosova (1981-1989): Filimi i shpërbërjes së RSF të Jugosllavisë” – Memli Sh. Krasniqi

Monografia “Kosova (1981-1989): Fillimi i shpërbërjes së RSF të Jugosllavisë” sjell për lexuesit zhvillimet politike gjatë viteve 1981/89 në Kosovë (atëherë KSA e Kosovës).

Pas një lulëzimi ekonomik dhe politik, në vitin 1981 në Kosovë shpërthyen demonstratat përmes së cilave kërkohet avancimi i statusit të Kosovës në Republikë, në kuadër të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ). Me këto ngjarje, sipas autorit, monografia nis me shkatërrimin e themeleve të RSF Jugosllavisë, për t’u vulosur në fund të vitit 1989.

Studiuesi Memli Krasniqi, në mënyrë të faktuar prezanton zhvillimet që karakterizuar periudhën e lartcekur, që nga masat diskriminuese ndaj shqiptarëve, në të gjitha fushat, që ishin marrë atëherë nga kryesia e RSFJ dhe Serbisë, deri tek suprimimi me dhunë i autonomisë së Kosovës, përmes policës dhe armatës së atëhershme jugosllave.

Këtyre zhvillimeve Krasniqi u bashkëngjiti edhe një historik të zhvillimeve politike dhe ekonomike të Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore. Njëkohësisht përmes dëshmive hedh poshtë pretendimet serbe se Kosova historikisht u takon atyre.

Ballina e librit ‘Kosova (1981-1989): Fillimi i shpërbërjes së RSF të Jugosllavisë’. Foto: KALLXO.com

3. “Vepra me rëndësi të shumëfishtë” – Ajete Zogaj

Libri “Vepra me rëndësi të shumëfishtë” është një studim i Ajete Zogajt mbi disa vepra të shkrimtarit dhe studiuesit, Anton Nikë Berisha, të botuara viteve të fundit.

Autorja librin e ndan në katër kapituj, duke i përmbledhur studimet sipas zhanreve të krijimtarisë artistike – letrare të Berishës; “Rreth veprave në poezi”; “Rreth veprave në prozë”; “Rreth veprave studimore” dhe “Rreth studimeve për veprat e Anton Nikë Berishës”.

Sipas Ajete Zogaj, “Vepra me rëndësi të shumëfishtë” ka për qëllim të vë në pah disa prej vlerave kryesore të krijimtarisë artistike të Anton Nikë Berishës.

Krijuesi Berisha është autor i dhjetëra librave në prozë dhe poezi, për të rritur dhe fëmijë, studime e botime antologjike.

Ballina e librit ‘Vepra me rëndësi të shumëfishtë’. Foto: KALLXO.com