Ilustrim

Buxheti i vitit të ardhshëm, 204 milionë për Ministrinë e Infrastrukturës

Në debatin e KALLXO.com  sonte po debatohet për aferën e 2 milionëshit dhe buxhetin e shkurtuar për vitin 2021.

I ftuar në këtë debat zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka folur në lidhje me buxhetin e vitit 2021.

Krasniqi ka bërë të ditur se nga 660 milionë euro shpenzime kapitale të buxhetit, 204 milionë prej tyre janë vetëm për Ministrinë e Infrastrukturës.

“Diku rreth 625 milionë euro janë pagat e rregullta dhe këto nuk mund t’i zvogëlojmë. Mbi 640 milionë euro janë skema sociale, subvencionet. I kemi zvogëlu mallrat dhe shërbimet nga 355 milionë në 310 milionë euro. I kemi rreth 616 milionë shpenzime kapitale, prej 204 milionë janë tek Ministria e Infrastrukturës dhe prej këtij 204 milionë janë 200 milionë euro të cilat kanë kontrata, janë obligime ligjore që ne nuk kemi mujt me i zvogëlu. Janë projekte të filluar kryesisht në vitin 2019”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, buxheti për vitin 2021, për shpenzime, është 2.6 miliardë euro, ndërsa të hyrat janë 1 miliard e 788 milionë euro.

 

“Dallimi në mes të shpenzimeve dhe të hyrave është se ne e kemi rritë deficitin buxhetor prej 2 në 6.5% dhe e kemi zvogëlu prej 4.5% në 3% bilancin bankar. Dhe këto dallim kanë bërë që shpenzimet dhe të hyrat e rregullta buxhetore të jetë shumë i madh”, ka deklaruar Krasniqi.

“Projeksioni i Ministrisë për buxhetin këtë vit ka qenë pa autostradë, pastaj në Qeveri i është shtu edhe autostrada me 200 mijë euro”, tha ai

Pjesë e debatit janë  edhe Diana Metushi – Krasniqi nga KDI dhe Mexhide Demolli – Nimani nga Lëvizja FOL.