Rasti “Stenta 2” : Veçohet procedura për dy të akuzuar

38 mjekë të spitaleve publike të Kosovës po gjykohen për keqpërdorim të detyrës në rastin e njohur si “Stenta 2”

Në seancën e sotme është veçuar procedura për të akuzuarit Elfedin Muhaxheri dhe Nexhmi Zeqiri për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore.

I akuzuari Muhaxheri nuk ka qenë prezent në seancën e sotme ndërsa Zeqiri ishte prezent dhe kërkoi që të lirohet nga seanca për shkak të gjendjes shëndetësore.

Në këtë seancë prokurorja Florije Shamolli pas administrimit të provave, gjithashtu ka propozuar edhe 4  dëshmitarë: Fitore Konjusha, Nexhat Kastrati, Hidajete Feka dhe Lulzim Brovina.

Ndërsa në lidhje me administrimin e provave dhe dëgjimin e këtyre dëshmitareve pati kundërshtime nga ana e mbrojtësve.

Avokati Reshat Millaku, i cili e mbron të akuzuarin Gani  Bajraktarit e kundërshtoi këtë propozim duke shtuar se Prokuroria këta emra të dëshmitarëve nuk i ka pasur në listën e tyre.

“Ne i kundërshtojmë të gjitha provat që Prokuroria i administroi, sidomos një numër prej tyre në faqe 51 dhe 52 të aktakuzës përveç udhëzimit administrativ që mund të merret si provë krejt provat e tjera nuk kanë të bëjnë me këta të akuzuarit”, tha avokati Millaku.

Me kundërshtimin e avokatit Millaku, u pajtuan edhe mbrojtësit e tjerë.

Pas kësaj trupi gjykues mori aktvendim me të cilën e aprovoi propozimin e Prokurorisë dhe bëri të ditur se ditën e nesërme do të bëhet dëgjimi i tre dëshmitareve të propozuar nga ana e Prokurorisë.

Kujtojmë se për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, trupi gjykues ka marrë vendim që seanca gjyqësore të mbahet në objektin e ish- Rilindjes.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë, Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lezer Prekpalaj, Rexhep Manaj, Nehat Rexhepaj, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Reshat Emra, Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Besim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.

Në këtë rast të akuzuar kanë qenë 45 persona por ndaj të akuzuarve Murat Abazi e Ferid Susuri, Perihane Sefa dhe Masar Gashi gjatë seancave gjyqësore për shkaqe shëndetësore është veçuar procedura penale.

Kurse procedura është veçuar edhe për Elfedin Muhaxheri dhe Nexhmi Zeqiri.

Ndërkaq për të akuzuarin Sami Gjoka procedura është pushuar për shkak se i njëjti ka vdekur.

Në seancën fillestare gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim, mirëpo rasti është kthyer në rigjykim.

Kurse po vazhdon procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private.

Të akuzuarit në këtë rast “Stenta 2” nga Prokuroria Speciale ngarkohen për veprat penale të keqpërdorimit te pozitës dhe marrje të ryshfetit.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.

Në rastin “Stenta” të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej  4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Në mungesë të të akuzuarve, dështon seanca për “Stenda 2”