Emergjenca në Lipjan, Foto: KALLXO.com

Rrëfimi i infermieres që trajtoi pacienten me COVID-19 në oborr të QKMF-së në Lipjan

Ganimete Qeriqi është infermiere në Emergjencë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Lipjan, e cila ditë më parë në oborr të QKMF-së trajtoi një paciente me COVID-19.

Në një prononcim për KALLXO.com, Qeriqi ka thënë se pacientes i dha një injeksion që jepet me tretje në infuzion dhe se këtë e ka bërë pa qëllime përfitimi, duke shtuar se brenda Emergjencës ka pasur të moshuar që nuk ka dashur t’i rrezikojë.

Pamjet e publikuara në media dhe në rrjete sociale shfaqin një grua në karrocë duke e marrë infuzionin, i cili është varur në drurin e një peme në oborr të QKMF-së. Afër saj janë një familjar dhe infermierja. Objekti i QKMF-së dhe Emergjencës në Lipjan gjenden në të njëjtën hapësirë.

Ndaj infermieres janë paralajmëruar edhe masa disiplinore, ndërsa kjo e fundit e ka akuzuar drejtorin e QKMF-së në Lipjan, Agim Krasniqi, për sulm politik. Qeriqi është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ndërsa më herët ka qenë anëtare e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Infermierja ka thënë për KALLXO.com se e di që trajtimi i pacientëve jashtë objektit shëndetësor është shkelje.

“Unë e di që është një shkelje procedurale kjo, që me pa jashtë nuk është e hijshme, por duke e marrë parasysh gjendjen e pandemisë dhe brenda çka ndodh, e kam parë të arsyeshme me logjikën time. Por tash drejtori është duke më sulmuar në aspektin politik. Drejtori ka këmbëngulur që kjo është politike dhe tash po don me m’dëmtu politikisht”, tha ajo.

Këto akuza i ka mohuar drejtori i QKMF-së në Lipjan, Agim Krasniqi.

Ai në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se nuk ka paragjykim për rastin në fjalë.

“Krejt çka kam pasë të deklaroj është në media. Tani është komisioni i cilësisë në QKMF i ngarkuar me këtë çështje. Unë nuk kam asnjë paragjykim lidhur me rastin në fjalë, të gjitha tani i ka ky komision”, thuhet në përgjigjen e tij.

Izer Sinani, koordinator i cilësisë në QKMF-në e Lipjanit ka thënë për KALLXO.com se së shpejti infermierja Ganimete Qeriqi do të thirret në komisionin disiplinor.

“Lidhur me rastin jemi në proces ndaj infermieres Ganimete Qeriqi dhe së shpejti do të thirret në Komisionin Disiplinor i cili do ta thotë fjalën përfundimtare”, thuhet në përgjigjen e tij.

QKMF në Lipjan, Foto: KALLXO.com

Ndërkaq, Qeriqi ka treguar momentet se si vendosi që ta trajtojë në oborr pacienten e cila ishte me COVID-19.

“Unë punoj në Emergjencë dhe kur kam dalë jashtë e kam pa pacienten duke pritur në shkallë dhe m’u përkul e më  tha: ‘motër a mundesh me më jep infuzion se s’po mundem me prit se i kam fëmijët në shpi, kish radhë’? Unë i thash: Po nuk ke të drejtë me hy në Emergjencë sepse je me COVID. Por më tha me ia gjetë dikë që me shku, ose privat sepse s’po mundet me prit. Unë ia mora terapinë, pasi e kish ble dhe ia përgatita dhe diqysh s’e di pse  e përjetova, m’u duk jonjerëzore me refuzu pacienten, ia përgatita dhe thash: Hajde këtu shpejt!  Injeksion ishte që tretet veç me pak infuzion. Ajo s’ka pasë me marr infuzion, por injeksion”, tha ajo.

Qeriqi ka shtuar se e ka parë më të arsyeshme mos ta refuzojë pacienten, duke ia kryer shërbimin që sipas saj ka marrë vetëm rreth 15 minuta kohë.

“Duke e llogaritur gjendjen e pandemisë, që nesër munden me shpërthy rastet… dhe ishin rrezet e diellit dhe thash që ambient më i përshtatshëm është jashtë sesa brenda. Emergjenca ka pasur vende të lira, i ka pasur disa pleq duke marrë oksigjen, e që në atë rast kam dyshuar  që më futë pacienten aty me COVID-19, munden me më denoncu ata që janë duke marrë oksigjen me thënë pse na e ke sjell, po na infekton neve”, theksoi ajo.

Ajo ka shtuar se ka qenë e vetëdijshme për rreziqet në lidhje me gjendjen e pacientes.

“Unë e di që mundet me pasë ndonjë reaksion antibiotiku, krejt i di këto, por kanë qenë afër kerri i Emergjencës, terapinë e kam pasë aty, kemi qenë ekipi dhe e kam përcjell non-stop pacienten, ia dhashë terapinë, më falënderoi dhe shkoi te fëmijët e saj”, tha ajo.

Në lidhje më këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar edhe drejtoreshën e Shëndetësisë në Lipjan, Merita Bytyçi, e cila ka thënë se infermierja nuk ka vepruar mirë, pavarësisht deklarimit të saj për t’i shërbyer pacientët.

“Rasti në fjalë ishte informatë e papritur edhe për mua, sikurse edhe për gjithë të tjerët. Unë e çmoj punën dhe angazhimin e çdo punëtori shëndetësor apo mbështetës në shërbim të qytetarit, mirëpo në këtë rast ndoshta infermierja është ndikuar nga pacientja pa e vlerësuar situatën aspak, sigurisht nuk ka vepruar mirë pavarësisht deklarimit të saj për t’i shërbyer pacientët. Sigurisht që një ndihmë apo një shërbim mjekësor jepet në çfarëdo kushte kur është nevoja, por jo edhe në këtë mënyrë kur ka kapacitete të mjaftueshme institucionale”, thuhet në përgjigjen e saj.

Bytyçi ka shtuar se janë të përgatitur që të veprojnë në situata më të vështira sa i përket pandemisë.

“Ne gjatë gjithë pandemisë kemi shërbyer varësisht nga situata dhe trendi i rritjes apo rënies së pacientëve Covid pozitiv, tani më kemi bërë përvojën dhe jemi të gatshëm edhe për situata më të vështira sepse në vazhdimësi kemi bërë organizim dhe riorganizim”, ka shtuar ajo.

Sa i përket fotografisë të publikuar në rrjete sociale, infermierja ka kërkuar nga organet e rendit që të hetojnë rastin.

“Nuk e di kush ka bërë foto, unë e kisha lutur prokurorinë, hetuesinë me hetu se kush më ka keqpërdorë ashtu kur e kam parë pas gjysmë ore veten në krejt rrjetet sociale”, tha ajo duke shtuar se ka informacione që për këtë rast është e njoftuar Policia.

Në lidhje më këto pretendime, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.