'Stenta 2', Prokuroria kërkon që si provë të merret edhe ekspertiza që tregon dëmin 4 milionë eurosh dhe jo vetëm ajo 11 mijë euro
Në gjykimin kundër 37 mjekëve të akuzuar për vepra të ndryshme korruptive në rastin që mban emrin “Stenta 2” u administruan provat materiale.
Seanca sot në Gjykatën e Prishtinës filloi me administrimin e provave të propozuara nga ana e Prokurorisë, ku ndër të tjera prokurorja e çështjes, Florie Shamolli propozoi të administrohet edhe ekspertiza financiare e hartuar në pjesën e parë të këtij rasti, konkretisht në “Stenta 1”.
Sipas Prokurorisë, kjo ekspertizë financiare precizon dëmin që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës, që në vend se të jetë dëmi mbi 4 milionë euro, ekspertiza cakton se ky dëm është rreth 11 mijë euro.
“Në pjesën e parë të këtij rasti, ku kanë qenë të akuzuar Ferid Agani, etj. pasi është kthyer në rigjykim, Gjykata e Apelit ka kërkuar që të bëhet një ekspertizë financiare e cila tregon se dëmin e shkaktuar, kjo ekspertizë tregon se dëmi është mbi 11 mijë euro e jo si e vjetra që tregonte se dëmi është 4 milionë, andaj e propozoj këtë ekspertizë si provë në këtë procedurë” – tha prokurorja Florie Shamolli në seancë.
Përveç provave të propozuara nga prokuroria, të akuzuarit dhe avokatët e tyre propozuan prova të cilat i vlerësonin si relevante e shfajësuese ndaj tyre.
Çështje tjetër e trajtuar në këtë seancë, ishte edhe fakti se që nga 17 shkurti i këtij viti ka hyrë ne fuqi Kodi i ri i Procedurës Penale, i cili mbrojtjen ligjore e obligon për të gjitha veprat e dënueshme me mbi 5 vite.
Kështu të akuzuarit u njoftuan se tani e tutje duhet të kenë gjithmonë prezent avokatin mbrojtës në seancë, e kjo shkaktoi diskutime të shumta, ku disa të akuzuar deklaruan se nuk i kanë mundësitë financiare që të përballojnë shpenzimet e tilla pasi që ky proces ka zgjatur mbi 5 vite.
“Unë me rrogë të mjekut 560 euro nuk mundem me pagu avokat që 5 vjet që paguaj për këtë procedurë, kërkojë që Gjykata të ma autorizoj një” – tha i akuzuari, Nehbi Musliu në seancë.
Për këto pretendime, trupi gjykues deklaroi se do të njoftojë Odën e Avokatëve të Kosovës në mënyrë që e njëjta do të caktojë mbrojtjen sipas detyrës zyrtare.
Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lezer Prekpalaj, Rexhep Manaj, Nehat Rexhepaj, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Besim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.
Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Reshat Emra por i njëjti ka ndërruar jetë dhe kundër tij ka pushuar procedura.
Rasti “Stenta” ishte njëri nga rastet më të mëdha korruptive të cilin pretendonte se e kishte zbuluar Prokuroria Speciale e Kosovës.
Në ketë rast ishin akuzuar mbi 62 persona në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publik e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrja e ryshfeti, dhënia e ryshfetit, trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangia nga tatimi.
Sipas aktakuzës të pandehurit akuzoheshin se kanë lëshuar letra-referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, së paku 233 personave.
Për shkak të numrit të madh të akuzuarve dhe menaxhimit më të lehtë me rastin në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë, të akuzuarit Agani dhe Shabani u gjykuan veçmas në rastin ‘Stenta 1’, tani 37 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si ‘Stenta 2’, ndërsa pronarët dhe mjekë të spitaleve private janë pjesë e rastit ‘Stenta 3’.
Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast i gjeni në këtë LINK.