Logo e LDK-së - Foto: Facebook

Anëtari i kryesisë së LDK-së në Vushtrri: Ka pasur ngacmime me fjalë por nuk jam sulmuar

Në orët e mbrëmjës është raportuar për një përleshje në mes të anëtarit të kryesisë së degës së LDK-së në Vushtrri, Agim Krasniqit dhe Salih Tahirit, vëllait të kryetarit të LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahirit, gjatë mbledhjes së kryesisë sot.

Një lajm i tillë është demantuar nga Krasniqi dhe Xhafer Tahiri.

Krasniqi ka thënë për KALLXO.com se nuk ka pasur përleshje fizike me Salih Tahirin por vetëm mospajtime gjatë diskutimeve në mbledhje.

“Mes meje dhe vëllait të Tahirit nuk ka pasur përleshje fizike, kemi diskutu në lidhje me çështje procedurale, ka pasur ngacmime me fjalë por jo sulm fizik. Unë me një pjesë të kryesisë e kemi lëshu mbledhjen, nëse më pas ka pasë diçka, unë nuk e di por nuk është siç është raportuar që unë jam sulmuar. Ai në të vërtetë nuk është pjesë e kryesisë. Ne që një kohë kemi mospajtime brenda kryesisë dhe nuk kanë qenë të gjithë anëtarët e kryesisë në mbledhje”, tha ai.

Xhafer Tahiri tha për KALLXO.com se një lajm i tillë është i pavërtëtë ndërsa LDK në Vushtrri përmes një komunikate ka thënë se dega po sulmohet me qëllim me lajme të tilla.