Kryeministri sllovak, Robert Fico, Foto: REL/AP

Ish-kryeministri pro-rus i Sllovakisë arrin marrëveshje për formimin e qeverisë së koalicionit

Robert Fico në marrëveshje me një parti të moderuar dhe me një tjetër ultra-nacionalistë u rikthye në detyrë për herë të katërt.

Ish-kryeministri populist i Sllovakisë, Robert Fico, ka thënë se ka arritur një marrëveshje me partitë e qendrës së majtë dhe nacionaliste për ta formuar një qeveri koalicioni trepartiak që mund ta kthejë atë në detyrë për herë të katërt.

“Ne jemi dakorduar që duam ta formojmë një qeveri së bashku,” – ka thënë Fico të mërkurën për marrëveshjen, e cila përfshin Hlas, një parti e moderuar e shkëputur nga partia e tij Smer-SD dhe Partinë Kombëtare Sllovake ultra-nacionaliste (SNS).

Smer i fitoi zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar me gati 23% të votave, duke i dhënë asaj 42 ulëse në parlamentin me 150 vende.

Hlas, e udhëhequr nga ish-deputeti i Ficos, Peter Pellegrini, përfundoi i treti me 27 ulëse dhe SNS fitoi 10 sosh.

Qeveria e re pritet ta zvogëlojë mbështetjen për Ukrainën në përputhje me premtimet e fushatës së Ficos për ta ndalur ndihmën ushtarake për fqinjin lindor të Sllovakisë dhe për ta afruar vendin më pranë Hungarisë në një zhvendosje të mëtejshme rajonale nga liberalizmi politik.

Marrëveshja e koalicionit thotë se orientimi i politikës së jashtme të Sllovakisë do të vazhdojë të bazohet në “anëtarësimin e saj në BE, NATO dhe organizata të tjera të rëndësishme ndërkombëtare” duke e “respektuar plotësisht sovranitetin dhe interesat kombëtare”.

Sipas marrëveshjes, Smer do ta nominojë kryeministrin dhe gjashtë ministra të tjerë, partia Hlas kryetarin e parlamentit dhe shtatë ministra të kabinetit dhe SNS tre ministra. Fico ka thënë se shpreson ta përfaqësojë Sllovakinë në samitin e ardhshëm të BE në fund të tetorit.

“Emrat dhe ministritë specifike do të përfshihen në marrëveshjen e koalicionit,” tha ai. “Do t’ia paraqes presidentit listën e ministrave brenda një kohe të shkurtër”.

Fico e mbështet ndihmën humanitare dhe rindërtuese për Ukrainën, por jo furnizime të mëtejshme ushtarake, dhe dëshiron që BE t’i detyrojë bisedimet e paqes – një linjë e ngjashme me atë të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbán, por e refuzuar nga Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë.

Diplomatët dhe analistët kanë thënë se pragmatizmi i kaluar i Ficos si kryetar i qeverive midis viteve 2006 dhe 2010 dhe përsëri nga vitet 2012 deri në 2018, si dhe përfshirja e Hlas-it më të moderuar, mund ta zbusë linjën e tij.

SNS, megjithatë, e ndan retorikën e tij virulente kundër emigracionit, qasjen populiste dhe prirjet pro-ruse. Udhëheqësi i saj, Andrej Danko, deklaroi në korrik se territoret e pushtuara nga Rusia nuk janë “historikisht ukrainase”.

Fico tha të mërkurën se përparësia e tij kryesore do të jetë ulja e deficitit buxhetor të Sllovakisë dhe “mbrojtja e sovranitetit dhe interesave kombëtare të saj”, duke u zotuar në veçanti për ta ndalur fluksin e migracionit të paligjshëm në vend./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala