Azerbajxhani thotë se ka kontroll të plotë mbi rajonin e Nagorno-Karabakut

Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev ka deklaruar se sovraniteti i vendit të tij është rivendosur mbi Nagorno-Karabakh pas një ofensive ushtarake 24 orëshe kundër forcave etnike armene.

Aliyev e vlerësoi heroizmin e ushtrisë së Azerbajxhanit disa orë pasi forcat e Karabakut ranë dakord të dorëzoheshin.

Rreth 120,000 armenë etnikë jetojnë në enklavën e Kaukazit Jugor, e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.

Azerbajxhani tani ka si qëllim ta vë rajonin e shkëputur nën kontroll të plotë.

Ushtria e saj nisi një operacion “anti-terror” të martën, duke kërkuar që forcat e Karabakut të dorëzohen dhe ta shpërbëjnë “regjimin e tyre të paligjshëm”. Pa mjetet e mbështetjes nga Armenia fqinje dhe pas një bllokade efektive nëntë-mujore, armenët etnikë shpejt u dorëzuan.

Zyrtarët armenë raportuan se të paktën 32 njerëz janë vrarë, duke përfshirë shtatë civilë dhe 200 të tjerë u plagosën. Megjithatë, sipas një zyrtari separatist armen të të drejtave të njeriut, të paktën 200 njerëz u vranë dhe më shumë se 400 u plagosën. BBC nuk ka qenë në gjendje t’i verifikojë asnjë nga shifrat e dhëna.

Të mërkurën në mbrëmje, zyrtarët armenë e akuzuan Azerbajxhanin se hapi zjarr ndaj trupave pranë qytetit të Sotk në kufirin midis dy vendeve pasi ishte rënë dakord për armëpushimin, por Azerbajxhani i mohoi menjëherë pretendimet.

Më herët gjatë ditës, mijëra protestues dolën në rrugët e Jerevanit, kryeqytetit armen, për ta kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Nikol Pashinyan për mënyrën se si ky i fundit e ka trajtuar këtë krizë në Nagorno-Karabagh.

Ushtria e Azerbajxhanit tha se ka kapur më shumë se 90 pozicione nga armenët etnikë përpara se të dyja palët të njoftonin se një ndërprerje e plotë e armiqësive është rënë dakord përmes paqeruajtësve rusë, duke filluar nga ora 13:00 me kohën lokale (09:00 GMT) të mërkurën.

Sipas kushteve të armëpushimit, të përshkruara nga Azerbajxhani dhe Rusia, e cila ka paqeruajtës në terren, forcat lokale të Karabakut duhet të angazhohen që të shpërbëhen plotësisht si dhe të çarmatosen.

Ekziston gjithashtu një angazhim për tërheqjen e forcave armene, edhe pse qeveria e saj mohon të ketë ndonjë prani ushtarake atje.

Presidenca e Azerbajxhanit ka thënë se zyrtarët do të takohen të enjten me përfaqësuesit armenë të Karabakut për bisedime mbi “çështjet e riintegrimit” në qytetin e Azerbajxhanit Yevlakh. Presidenti Aliyev tha se Azerbajxhanasit nuk kanë asgjë kundër popullatës, vetëm kundër “juntës së tyre kriminale”.

Yevlakh gjendet rreth 100 km në veri të kryeqytetit rajonal të Karabakut, Khankendi, i njohur si Stepanakert nga armenët.

Një krizë e vazhdueshme

Që nga shpërberja e Bashkimit Sovjetik, Armenia dhe fqinji i saj, Azerbejxhani, i kanë bërë dy luftëra mbi Nagorno-Karabakh, një rajon malor, pa dalje në det në jugperëndim të Azerbajxhanit.

Lufta gjashtëjavore në vitin 2020 çoi në disa mijëra vdekje, por i mundësoi Azerbajxhanit, të mbështetur nga Turqia, ta rimarrë territorin përreth dhe brenda enklavës, duke i lënë armenët etnikë të izoluar.

Për nëntë muajt e fundit, Azerbajxhani ka kryer një bllokadë efektive të rrugës së vetme në Karabakh nga Armenia, e njohur si Korridori i Laçinit. Armenët etnikë në enklavë u ankuan për mungesë ushqimi dhe ilaçesh dhe Armenia nuk ishte në gjendje të ndihmonte.

Edhe pse disa ndihma u lejuan ditët e fundit, armenët e Karabakut u dobësuan shumë nga mungesat në kohën e ofensivës së Azerbajxhanit, me pak shpresë për mbështetje të jashtme.

Rreth 2,000 paqeruajtës rusë duhej të monitoronin armëpushimin e vitit 2020, por interesi i Moskës për Armeninë është zbehur gjatë luftës së saj në Ukrainë, edhe pse Armenia është pjesë e aleancës ushtarake të CSTO-së të Rusisë.

Majin e kaluar, kryeministri armen u citua të thoshte se vendi i tij do të jetë gati ta njohë Karabakun si pjesë të Azerbajxhanit në këmbim të sigurisë së popullsisë armene etnike.

“86,600 km katrorë të territorit të Azerbajxhanit përfshin Nagorno-Karabakun”, citohet të ketë thënë Pashinyan, duke iu referuar Azerbajxhanit në tërësi.

Moska zyrtare është mërzitur gjithashtu nga orientimi i dukshëm i zotit Pashinyan drejt Perëndimit.

Në fillim të këtij muaji, gruaja e tij Anna Hakobyan i shtrëngoi duart me presidentin e Ukrainës në një konferencë në Kiev dhe këtë javë, dhjetëra ushtarë armenë dhe amerikanë morën pjesë në stërvitjet ushtarake së bashku.

Kremlini i ka mohuar akuzat armene se nuk ka bërë mjaftueshëm për ta ndihmuar aleatin e tij.

Presidenti Vladimir Putin tha vetëm javën e kaluar se Rusia nuk ka probleme me kryeministrin e Armenisë, por shtoi se “nëse Armenia vetë e pranon se Karabaku është pjesë e Azerbajxhanit, çfarë duhet të bëjmë?”

Qindra protestues në Jerevan kërkuan dorëheqjen e kryeministrit armen të martën për shkak të trajtimit të krizës nga ana e tij dhe ai paralajmëroi forcat e paidentifikuara që bënin thirrje për një grusht shteti./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala