Franca pranon të dërgojë pajisje ushtarake në Armeni

Ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna ka deklaruar gjatë një vizite në Armeni të martën se Parisi zyrtar ka rënë dakord të dorëzojë pajisje ushtarake për Armeninë, shtetin e vogël të Kaukazit Jugor.

Colonna udhëtoi për në Armeni pasi forcat Azerbajxhanase e pushtuan rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakh dhe siguruan dorëzimin e forcave separatiste armene që kishin kontrolluar rajonin malor për dekada të tëra.

“Franca e ka dhënë miratimin e saj për lidhjen e kontratave të ardhshme me Armeninë, të cilat do të lejojnë dërgimin e pajisjeve ushtarake në Armeni në mënyrë që ajo të sigurojë mbrojtjen e saj”, u tha ajo gazetarëve pas bisedimeve që ajo tha se preknin sigurinë dhe mbrojtjen.

Kryediplomatja franceze nuk pranoi të jepte ndonjë detaj shtesë.

“Nuk mund të jap shumë detaje. Nëse më duhet të shkoj pak më tej, dijeni se ka gjëra që tashmë janë rënë dakord midis Armenisë dhe Francës dhe që janë në progres e sipër”, tha Colonna.

Franca, e cila ka një diasporë të madhe armene, tradicionalisht ka ndihmuar në ndërmjetësimin e mosmarrëveshjes territoriale prej dekadash midis Armenisë dhe Azerbajxhanit mbi Karabakun.

Colonna u takua gjithashtu me viktima, shumë prej tyre të plagosur nga një shpërthim në depo karburanti muajin e kaluar në enklavën e shkëputur të Nagorno Karabakh, në një spital në Jerevan.

Ministri armen i Shëndetësisë, Anahit Avanesyan ka deklaruar se “kjo mbështetje humanitare, kjo mbështetje njerëzore, është shumë e rëndësishme”.

Më shumë se 100,000 refugjatë janë larguar nga rajoni Nagorno-Karabakh në Armeni që nga fillimi i një ofensivë ushtarake e Azerbajxhanit atje muajin e kaluar.

Gjatë eksodit, një shpërthim masiv në periferi të bastionit rebel të Stepanakert vrau 170 njerëz dhe plagosi qindra të tjerë./France24

Përgatiti: Nuhi Shala