Foto: Komuna e Gjilanit

Borxhet e trashëguara, për dy muaj përmbaruesi do t'i marrë 3.5 milionë euro Komunës së Gjilanit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka bërë publike obligimet financiare të komunës të bartura nga qeverisjet e kaluara.

Për dy muaj, dhjetor 2021 dhe janar 2022, Komuna e Gjilanit është njoftuar se përmes procedurës përmbarimore do t’i tërhiqen 3.5 milionë euro.

Në njoftimin e Komunës së Gjilanit thuhet se përgjatë viteve të fundit janë krijuar obligime financiare jo kontigjente në vlerë prej mbi 11,062,061 milionë euro. Gjithashtu komuna ka krijuar obligime financiare kontigjente 14,480,300 milionë euro.

Komuna bën të ditur se shumica e këtyre detyrimeve janë për shpronësime.

“Shumica e detyrimeve janë nga shpronësimet. Të njëjtat janë bërë pa përfillur procedurat ligjore, ku fillimisht duhet zotimi i mjeteve e më pas edhe zbatimi i procedurës së eksproprijimit”, sqaron Komuna e Gjilanit.

“Qasja jonë është dhe do të jetë e tillë përgjatë të gjithë mandatit, andaj edhe si institucion komuna është e hapur dhe mirëpret qytetarët e palët e ndryshme për takime. Nuk arsyetohemi. Ne do të punojmë. Nuk e përdorim si justifikim të kaluarën. Punojmë për të ardhmen”, përfundon njoftimi i Komunës së Gjilanit.

Foto: Komuna e Gjilanit

Në raportin e auditimit të vitit 2020, Komuna e Gjilanit kishte llogari të arkëtueshme në vlerë
11,997,965 euro. Kjo shumë përbëhej nga tatimi në pronë 9,906,693 euro, nga licencat e biznesit
1,751,033 euro, nga dhënia me qira e pronës komunale 301,628 euro, nga partneriteti publiko-privat
33,404 euro, si dhe nga inkubatori i bizneseve 5,207 euro.

“Komuna e Gjilanit nuk kishte marrë masa konkrete për arkëtimin e llogarive të arketueshme për shkak të pandemisë”, theksohej në raportin e auditimit.

Pasqyra e detyrimeve në fund të vitit 2020 ishte 11,012,843 euro. Këto detyrime janë bartur për t’u
paguar në vitin 2021. Vlera kryesore e tyre u përket detyrimeve për investime kapitale në vlerë 9,765,836 euro.